BallinaEKSKLUZIVESHQIPËRIA ËSHTË E SHQIPTARËVE, PUSHTETET SHKOJNË E VIJNË!

SHQIPËRIA ËSHTË E SHQIPTARËVE, PUSHTETET SHKOJNË E VIJNË!

-

Screenshot

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Shqipëria nuk i përket asnjë individi, asnjë partie dhe asnjë pushteti. Shqipëria u përket shqiptarëve! Pushtetet janë të përkohshme, ndërsa atdheu është i përhershëm. Zgjimi qytetar dhe protestat kundër qeverisë së Edi Ramës rikthejnë në vëmendje një mësim të vjetër të historisë sonë: shqiptarët duhet të mësojnë ta duan Shqipërinë më shumë se individët që e drejtojnë atë.

M’u kujtuan fjalët e botuara në revistën Albania nga Faik Konica, më 15–30 korrik 1898:

“Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.”

Këto fjalë, të shkruara më shumë se një shekull më parë, na ftojnë të reflektojmë edhe sot. Sepse një shoqëri nuk përparon duke u lidhur verbërisht pas individëve, por duke mbrojtur idetë, parimet, drejtësinë, demokracinë dhe interesin e përgjithshëm. Jam me studentët, me të drejtën e tyre për t’u dëgjuar dhe me të drejtën e çdo qytetari për të protestuar paqësisht. Studentët janë zëri i së tashmes dhe shpresa e së ardhmes. Ata kanë të drejtë të kërkojnë llogaridhënie, arsim cilësor, mundësi të barabarta dhe një të ardhme ku dinjiteti njerëzor të mos jetë privilegj. Këtë çështje e ndiej edhe personalisht, sepse jam ish-student i Tiranës, ku kam studiuar gazetari në vitet 1995–1999. Si gazetar dhe si njeri që beson në fuqinë e fjalës së lirë, mendoj se zëri i të rinjve duhet dëgjuar, ndërsa kërkesat e tyre duhen trajtuar me seriozitet.

Megjithatë, e drejta për të protestuar nuk duhet të ngatërrohet kurrë me të drejtën për të shkatërruar

Protesta paqësore është një e drejtë themelore në demokraci dhe një mënyrë legjitime për t’i kërkuar llogari pushtetit. Por djegia e institucioneve publike, shkatërrimi i pronës shtetërore apo dëmtimi i bizneseve private nuk i shërbejnë as demokracisë, as qytetarëve dhe as të ardhmes së vendit. Institucionet tona janë pasuri publike, të ndërtuara dhe të mbajtura me kontributin e taksave të qytetarëve. Edhe bizneset private përfaqësojnë mundin, djersën, kursimet dhe sakrificat e njerëzve që punojnë për të mbajtur familjet e tyre. Asnjë pakënaqësi politike nuk duhet të bëhet shkak për të shkatërruar atë që është ndërtuar me vite pune e përkushtimi. Mund të jemi të zemëruar, mund të jemi të zhgënjyer dhe mund të kërkojmë ndryshime të mëdha, por duhet të ruajmë arsyen, përgjegjësinë dhe respektin për pronën e tjetrit.

Të protestosh është e drejtë; të djegësh dhe të shkatërrosh nuk është zgjidhje

Zëri i qytetarëve bëhet edhe më i fuqishëm kur shprehet me dinjitet, vendosmëri dhe paqësisht. Shqipëria ka nevojë për qytetarë që mendojnë, pyesin dhe kërkojnë llogari. Ka nevojë për institucione që u shërbejnë njerëzve dhe për një kulturë politike ku askush të mos konsiderohet mbi ligjin. Ka nevojë për një shoqëri ku kundërshtimi politik të mos shihet si armiqësi dhe ku asnjë qytetar të mos frikësohet për të shprehur mendimin e tij. Nuk duhet ta ngatërrojmë atdheun me qeverinë, as Shqipërinë me një politikan. Qeveritë ndryshojnë, kryeministrat vijnë e shkojnë, por Shqipëria mbetet e shqiptarëve. Në orët në vijim, të gjithë presim me vëmendje se si do të zhvillohen ngjarjet dhe çfarë do të sjellë kjo situatë. Shpresa jonë është që të mbizotërojë arsyeja, të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe të gjendet rruga më e mirë, ajo që dëshiron populli dhe që i shërben interesit të përgjithshëm të Shqipërisë. Le të shpresojmë se e mira do të triumfojë, se institucionet do të tregojnë përgjegjësi dhe se qytetarët do të arrijnë të shprehin vullnetin e tyre pa dhunë e pa shkatërrime. Shqipëria ka nevojë për qetësi, drejtësi, demokraci dhe ndryshime që ndërtojnë, jo që rrënojnë. Ta duam Shqipërinë, jo individët! Të mbrojmë parimet, jo kultin e pushtetit! Të jemi të ndryshëm në mendime, por të bashkuar rreth dinjitetit, demokracisë dhe së ardhmes së vendit tonë. Sepse Shqipëria është shumë më e madhe se çdo pushtet dhe e ardhmja e saj është përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve!


Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Albian Ajeti shënon, Lugano përmbys Cërvena Zvezdën dhe triumfon 3:2

0
Futbollisti shqiptar Albian Ajeti gjeti rrugën e rrjetës, ndërsa Lugano siguroi një fitore dramatike 3:2 ndaj Cërvena Zvezdës së Beogradit, në kuadër të Conference...