Prishtinë – Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e posaçëm të Sulltanatit të Omanit me rang ministri, Shejh Abdulaziz bin Abdullah Al-Hinai.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Sulltanatit të Omanit, me fokus të veçantë në mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit bilateral në fushën e ekonomisë, investimeve dhe marrëdhënieve diplomatike.
Gjatë takimit, Konjufca ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e forcimit të dialogut politik dhe krijimit të mundësive të reja për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.
Bashkëbisedimi është përqendruar gjithashtu në rëndësinë e thellimit të komunikimit diplomatik dhe identifikimit të mundësive konkrete që do të mund të kontribuonin në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Omanit.
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për të forcuar kontaktet diplomatike dhe për të shqyrtuar mundësi të reja bashkëpunimi, veçanërisht në sektorët ekonomikë dhe të investimeve. Palët kanë diskutuar për perspektivat e avancimit të marrëdhënieve dypalëshe, me synimin e zgjerimit të bashkëpunimit dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet dy vendeve, transmeton rtk.










