BallinaEKSKLUZIVEPSE DUHET TË DIGJET SHTETI PËR NJË KARRIGE?

PSE DUHET TË DIGJET SHTETI PËR NJË KARRIGE?

-

Nga Shefqet Cakolli, Kryetar dhe Udhëheqës Artistikë i SH.K.A “Dardania” në Winterthur të Zvicrës

Këto ditë, ngjarjet në Shqipëri po përshkallëzohen dhe neve, si mërgimtarë, na brengos fakti se diçka jo e mirë po ndodh në Shqipëri dhe me kombin tonë. Para disa ditësh, për pak sa nuk përshkallëzoi situata në Kosovë dhe të gjithë ishim në ankth. Kur dihet se shqiptarët janë përballur historikisht me shumë armiq të kombit tonë, nuk është larg mendjes të dyshojmë se këto mund të jenë skenarë të koordinuar nga qarqe të ndryshme që nuk ua duan të mirën zhvillimeve në trojet tona.

Ndoshta ka ardhur koha që të dalë në shesh e vërteta për shqiptarët dhe luftën e tyre. Pikërisht për këtë dyshoj se mund të jetë duke u investuar aq shumë në destabilizimin e trojeve tona. Ky është një dyshim që kërkon zbardhje, por që nuk mund të na lërë pa shqetësim.

Rrezikun e pamë së pari në Kosovë, me rastin e verdiktit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe protestave që për pak sa nuk e ndezën vendin. Në vlerësimin tim, syçeltësia e institucioneve, por edhe e vetë disa protestuesve, sidomos e pjesëtarëve të UÇK-së që kundërshtuan praninë e personave me maska, ndihmoi në shmangien e më të keqes. Shqetësimi ishte se mes tyre mund të kishte edhe persona të lidhur me shërbime të huaja, mundësi që duhet hetuar dhe jo marrë si e mirëqenë.

Falë kësaj syçeltësie dhe veprimit të institucioneve të sigurisë, situata nuk mori përmasat që shumëkush i frikësohej. Edhe marrëveshja politike, miratimi i ligjit lidhur me Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentes, sipas gjykimit tim, ndihmuan në tejkalimin e rreziqeve të momentit. Megjithatë, vigjilenca e institucioneve duhet të vazhdojë të jetë në nivelin e duhur.

Tani, pasi në Kosovë shpëtuam pa u kallur vendi, Shqipëria po digjet prej tri ditësh.

Si mund ta arsyetojmë djegien e institucioneve shtetërore dhe dhunën mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit? Edhe këtu lindin shumë dyshime dhe pyetje: kush po ua vë flakën këtyre objekteve dhe kush po e shkatërron infrastrukturën e shtetit shqiptar, në Tiranë e gjetiu?

A ka më shumë rëndësi rendi kushtetues dhe stabiliteti i shtetit, apo karrigia e një udhëheqësi politik? A mund të arsyetohet synimi për ta marrë pushtetin edhe me dhunë?

Protestat që kanë zgjatur prej muajsh, besoj se e kanë dhënë sinjalin se një dorëheqje e kryeministrit mund ta kishte shmangur këtë katrahurë. Neve, mërgimtarëve, na dhembin së pari njerëzit që po pësojnë, por edhe pasuria publike dhe institucionet e shtetit. Nuk duhej të këmbëngulej aq shumë për të mos dhënë dorëheqjen, përballë gjithë asaj vale protestash, derisa të arrinim te pamjet që po shohim sot.

Një shqiptar me ndjenjë kombëtare nuk i vë flakën arsimit, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave apo cilitdo institucion tjetër. Ato janë të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve, pavarësisht se kush është në krye të tyre për momentin.

Nesër mund të vijë dikush tjetër në udhëheqje. Atëherë, pse duhet të digjet dhe të shkatërrohet pasuria jonë për një karrige dhe për ambiciet politike të dikujt?

Revolta popullore duhet të kuptohet si një thirrje që i obligon institucionet dhe qeverinë të reagojnë e të mbajnë përgjegjësi. Në mendimin tim, kryeministri duhet të japë dorëheqjen menjëherë, që situata të mos përshkallëzohet më tej. Vazhdimi i kësaj gjendjeje do t’i gëzonte më së shumti ata që nuk ia duan të mirën kombit tonë.

Gjatë këtyre ditëve pashë edhe flamurin apo emblemën e UÇK-së në protestat në Tiranë, si dhe dëgjova thirrje: «UÇK! UÇK!»

Kjo nuk më pëlqen aspak dhe nuk më duket e hijshme ndaj luftës që kemi bërë ne në Kosovë. Lufta jonë ishte kundër forcave serbe, për lirinë e vendit tonë.

Prandaj pyes: çfarë po kërkon emri i UÇK-së në protestat e masës së gjerë në Shqipëri? Përse duhet të përfshihet ai në këto përplasje politike?

Emri i UÇK-së mbart sakrificën e një populli për liri. Ai nuk duhet të përdoret për ambiciet e ditës dhe as të lidhet me djegien e institucioneve të shtetit shqiptar.

Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve. Na dhemb ajo që po ndodh dhe nuk mund të qëndrojmë indiferentë kur shohim njerëz që pësojnë dhe pasuri kombëtare që shkatërrohet për karriget e politikës ditore.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Delegacioni i UEJL-së merr pjesë në Forumin e EUA-së për Financimin...

0
Financimi i qëndrueshëm, liria akademike dhe vlerat që krijojnë universitetet në shoqëri ishin ndër temat kryesore të Forumit të Asociacionit të Universiteteve Evropiane (EUA),...