Media gjermane raporton për përshkallëzimin e protestave në kryeqytet, përplasjet mes demonstruesve dhe policisë, si dhe kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në universitete dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Protestat e fundit në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e medias gjermane BILD, e cila i ka kushtuar një artikull situatës së tensionuar në Tiranë, duke vënë në fokus përplasjet mes protestuesve dhe policisë, dëmtimet e godinave dhe pakënaqësitë në rritje ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Në artikullin e gazetarit Marc Oliver Ruehle, BILD përshkruan një situatë të tensionuar në kryeqytetin shqiptar, ku protestat janë shoqëruar me incidente, zjarre dhe përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga forcat e policisë. Sipas raportimit të medias gjermane, në rrugët e Tiranës kanë dalë qindra studentë dhe qytetarë, të cilët kundërshtojnë kushtet në universitete, tarifat e studimit dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Përplasje, zjarre dhe dëmtime të godinave
BILD ndalet te incidentet e regjistruara gjatë protestave, ku, sipas artikullit, demonstruesit kanë hedhur gurë dhe mjete ndezëse, ndërsa në disa godina janë raportuar dëmtime dhe zjarre. Media gjermane shkruan se gjatë protestës janë thyer xhamat e Ministrisë së Arsimit dhe janë hedhur flakadanë në territorin e saj. Më pas, nga një prej dritareve të godinës është parë të dalë tym i dendur, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e zjarrfikësve. Në artikull përmenden gjithashtu dëmtimi i një filiali banke, djegia e dokumenteve dhe një zjarr në një ndërtesë që, sipas përshkrimit të medias, dukej e pabanuar. Raportimi rikthehet edhe te incidentet e së martës në Bashkinë e Tiranës, ku protestuesit hynë në godinë dhe u raportuan dëmtime e zjarrvënie. Sipas të dhënave të policisë të cituara nga BILD, 16 persona janë arrestuar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestave. Media gjermane përmend gjithashtu persona që kanë marrë ndihmë mjekësore pas përplasjeve, mes tyre efektivë policie, protestues, gazetarë dhe kalimtarë.
Reagimi i Bashkimit Evropian
Zhvillimet në Tiranë kanë sjellë edhe reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunës dhe u ka bërë thirrje palëve të ulin tensionet. Sipas raportimit të BILD, Bashkimi Evropian ka kërkuar gjithashtu që të hetohen pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Situata merr rëndësi edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, e cila vijon negociatat për anëtarësim në BE. Përshkallëzimi i tensioneve dhe mënyra se si trajtohen protestat mbeten çështje me interes për institucionet evropiane.
Nga protestat mjedisore te pakënaqësitë e studentëve
Një tjetër çështje që trajton media gjermane është ajo e protestave të njohura si “Protestat e Flamingove”, të lidhura me kundërshtimin e projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë bregdetare të mbrojtur natyrore. Projekti lidhet me Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan Donald Trump, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner. Planet për zhvillimin turistik kanë nxitur debate mbi ndikimin në mjedis, transparencën dhe dyshimet për konflikt interesi. Sipas artikullit të BILD, kundërshtimet ndaj projektit turistik po bashkohen me pakënaqësitë e studentëve për kostot e arsimit dhe kushtet në universitete, duke krijuar një tablo më të gjerë të protestave kundër politikave të qeverisë.
Protestat, sfidë për qeverinë shqiptare
Raportimi i medias gjermane pasqyron ndërthurjen e disa çështjeve që kanë nxitur reagimin e qytetarëve në Shqipëri, nga problematikat në arsim te shqetësimet mjedisore dhe kërkesat politike për ndryshim. Ndërsa studentët dhe qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre, kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë artikuluar edhe gjatë tubimeve të fundit në kryeqytet. Artikulli i BILD e vendos Shqipërinë në vëmendjen e publikut gjerman për shkak të tensioneve të krijuara, ndërsa zhvillimet në ditët në vijim pritet të tregojnë nëse palët do të gjejnë rrugë për uljen e tensioneve dhe trajtimin e kërkesave të protestuesve./BW










