BallinaAtdheuPresidentja Shiroka-Pula merr pjesë në ndërrimin e komandës së KFOR-it: Kosova synon...

Presidentja Shiroka-Pula merr pjesë në ndërrimin e komandës së KFOR-it: Kosova synon anëtarësimin në NATO

-

Kreu i shtetit vlerësoi rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë dhe fuqizimin e institucioneve vendore të sigurisë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, mori pjesë sot në ceremoninë e ndërrimit të komandës së misionit të KFOR-it, ku vlerësoi kontributin e forcave ndërkombëtare në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

Në fjalën e saj, Shiroka-Pula theksoi se KFOR-i, për më shumë se 27 vjet, ka luajtur një rol të rëndësishëm në garantimin e stabilitetit në Kosovë, ndërsa partneriteti me aleatët mbetet thelbësor për zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

“Historia e Kosovës është, në një pjesë të rëndësishme të saj, histori e partneritetit me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi”, u shpreh Presidentja.

Ajo nënvizoi se, ndër vite, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka arritur të ndërtojë dhe të fuqizojë institucionet e saj të sigurisë, të cilat tashmë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përballimin e sfidave dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Sipas saj, përparimi i institucioneve vendore në profesionalizëm, kapacitete dhe përgjegjësi dëshmon rezultatet konkrete të bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.

KFOR-i, rol të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë

Gjatë fjalës së saj, Presidentja Shiroka-Pula theksoi se prania e KFOR-it dhe bashkëpunimi i tij me institucionet vendore vazhdojnë të jenë të rëndësishme për sigurinë e përgjithshme dhe besimin e qytetarëve.

Ajo shprehu mirënjohjen për të gjithë ushtarakët dhe pjesëtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër të këtij misioni që nga viti 1999, duke vlerësuar përkushtimin dhe sakrificat e tyre gjatë shërbimit në Kosovë.

Presidentja theksoi se kontributi i tyre është pjesë e historisë së përbashkët me Kosovën dhe do të mbetet i vlerësuar nga qytetarët e saj.

Kosova synon anëtarësimin në NATO

Një nga pikat kryesore të fjalimit të Presidentes ishte synimi strategjik i Kosovës për anëtarësim në NATO. Shiroka-Pula deklaroi se vendi synon që në të ardhmen të mos jetë vetëm përfitues i sigurisë, por edhe kontribuues i drejtpërdrejtë në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet.

“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të”, deklaroi ajo.

Sipas Presidentes, perspektiva euroatlantike e Kosovës lidhet ngushtë me vazhdimin e bashkëpunimit me aleatët dhe me kontributin në misionet ndërkombëtare për paqe dhe siguri, në përputhje me statusin dhe detyrimet që do të ketë vendi në të ardhmen.

Urime për komandantin e ri të KFOR-it

Në përfundim të fjalës së saj, Presidentja Shiroka-Pula e cilësoi ceremoninë e ndërrimit të komandës si një mundësi për të riafirmuar vazhdimësinë e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe KFOR-it.

Ajo falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për shërbimin dhe bashkëpunimin e tij, ndërsa gjeneralmajorit Vergori i uroi suksese në detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in.

Në fund, Presidentja përcolli mirënjohjen për të gjithë pjesëtarët e misionit ndërkombëtar, duke vlerësuar angazhimin e tyre të përditshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ambasada amerikane reagon pas përplasjeve në protestë: Situata mund të përshkallëzohet

0
SHBA paralajmëron shtetasit amerikanë për përshkallëzimin e situatës pas hedhjes së gurëve dhe u bën thirrje të shmangin zonat ku po zhvillohet protesta. Ambasada e...