
Nga Sherife Ejupi – Zeqiri /Zvicër
Mos ma prek këtë zë që më dridhet në gjoks,
mos ma shuaj këtë zjarr që më digjet në shpirt!
Ëndrra ime nuk është fjalë e thjeshtë—
është britmë, është plagë, është jetë që s’vdes.
Në çdo germë shqipe rreh një zemër,
në çdo fjalë ka gjak e histori,
janë lotët e gjyshërve, janë betimet e tokës,
janë rrënjët që s’priten kurrë, përjetësi.
Mos ma ndal!
Se kur ma ndal ëndrrën, më ndal frymën,
kur ma hesht gjuhën, më humb emrin,
dhe unë pa emër… nuk jam më unë.
Kjo është gjuha ime—
si mal që s’përkulet, si det që s’ndalet,
si flamur që valon edhe në stuhi,
edhe kur bota përpiqet ta rrëzojë.
Unë jam i vogël, por zemra ime bërtet:
“Mos ma prek Shqipen!”
Se në të jetoj, në të qaj, në të ëndërroj,
dhe pa të… unë humbas gjithçka.
Le të dëgjohet deri në qiell kjo thirrje:
Një fëmijë nuk kërkon shumë—
vetëm të drejtën për të qenë vetvetja,
dhe ëndrra ime… flet shqip!




