Nga Angela KOSTA, Itali
Në sfondin e jetës,
me fytyra të lodhura,
njerëzit
braktisin barrën e ekzistencës,
e dështuar ende pa u ngjizur
në qenien e saj pa qenie,
ndryshkur në muret e krenarisë pa krenari.
Epoka perënduar nën vullkanet e urrejtjes,
ushqyer nga hiri i magmës së shpresës së djeshme,
sot e mohuar nga pushteti i lakmisë,
duke shpënë me vete mashtrimin e së nesërmes.
E nesërmja, pa të ardhme,
tradhton shpresën, e pajetë,
në shtratin e tokës, teksa frymë fare pak merr,
synon mbijetesën e asaj pak çka i ka mbetur,
koleksionon grimca terrori,
lot oqeanesh derdhur,
ujit pemën e universit,
zhveshur nga gjallëria e çdo gjetheje stinësh që vetë jeta më nuk i njeh.
Dhe ti,
Shpresë, varur mbetesh,
me flatra të arta zvarritesh
drejt resh
pa mundur të fluturosh,
sepse të gozhdojnë
sapo hovin fluturimthi merr.
Ja pse pezull mbetesh
midis lirisë dhe vetvetes




