POSTIMET E FUNDIT

A mund të sulmojë Irani, Mekën?

Haxhi po zhvillohet në një kohë kur Arabia Saudite është prekur nga lufta me Iranin dhe është sulmuar disa herë drejtpërdrejt. Megjithatë, mbretëria vazhdon t’i përmbahet pelegrinazhit mysliman. Çdo vit, miliona myslimanë shkojnë në Mekë për të kryer rite fetare.Ky ritual, i quajtur Haxh, sipas mësimit islam duhet të kryhet të paktën një herë në jetë nga çdo besimtar – me kusht që ai të jetë në gjendje. Haxhi konsiderohet një nga grumbullimet më të mëdha njerëzore në botë. Pelegrinazhi i këtij viti zhvillohet nga data 24/25 deri më 29 maj. Në Arabinë Saudite priten edhe sivjet rreth 1,5 milionë pelegrinë – pavarësisht luftës me Iranin. Në tre vitet e fundit, numri i pjesëmarrësve ka qenë nga 1,7 deri në 1,8 milionë. Sipas historianëve, gjatë më shumë se 14 shekujve, Haxhi është anuluar ose kufizuar vetëm rreth 40 herë;rasti i fundit ishte gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2020.

Fakti që më shumë se një milion pelegrinë mblidhen brenda pak ditësh në një vend të vetëm ka qenë gjithmonë një sfidë logjistike. Arabia Saudite organizon masa sigurie, strehim, furnizim dhe kujdes mjekësor në kushte klimatike ekstreme. Gjatë pelegrinazhit shpesh ndodhin incidente të lidhura me nxehtësinë; në vitet e fundit, shumë njerëz kanë vdekur si pasojë e temperaturave ekstreme.

Këtë vit, situata është edhe më e ndërlikuar për shkak të konfliktit ushtarak me Iranin. Lufta filloi në fund të shkurtit, kur SHBA-të dhe Izraeli sulmuan objektiva në Iran. Irani reagoi me sulme ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit, përfshirë edhe disa herë Arabinë Saudite.

Megjithëse aktualisht ka një armëpushim, mbetet e paqartë se sa i qëndrueshëm është ai. Fundjavën e kaluar, Arabia Saudite rrëzoi tre dronë, të cilët sipas mbretërisë ishin lëshuar nga milici pro-iraniane në Irak.

Paralajmërime për udhëtim

Këtë vit, qeveria e SHBA-ve u bëri thirrje qytetarëve të saj myslimanë për herë të parë të mendojnë dy herë për pjesëmarrjen në pelegrinazh. Arsyeja ishte se në fillim të marsit, personeli jo thelbësor i qeverisë amerikane u urdhërua të largohej nga Arabia Saudite.

Gjermania, Britania e Madhe dhe shtete të tjera evropiane gjithashtu kanë lëshuar paralajmërime për udhëtim drejt Arabisë Saudite. Ato u rekomandojnë qytetarëve të ndjekin me kujdes situatën e sigurisë dhe të peshojnë me kujdes udhëtimet drejt rajonit. Disa agjenci udhëtimi në Gjermani, të specializuara për Haxhin, nuk iu përgjigjën pyetjeve të DW-së.

Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani deklaroi se pelegrinët zakonisht mbeten të paprekur nga ngjarjet aktuale. Ata udhëhiqen nga motivi për të përmbushur një detyrë fetare. “Për ta, kjo është shumë më tepër sesa një udhëtim pushimi. Meqë planifikimi zakonisht zgjat më shumë se një vit dhe përfshin detyrime financiare të konsiderueshme, anulimi është shumë i vështirë,” tha një zëdhënës.

Ai shtoi se nuk njihte raste nga Gjermania ku njerëzit kanë anuluar udhëtimin për shkak të luftës me Iranin. Edhe pse kishte pasiguri për zhvillimet, pelegrinët u janë përmbajtur planeve të tyre.

Edhe vendet që zakonisht dërgojnë numrin më të madh të pelegrinëve fillimisht treguan kujdes. Indonezia këshilloi qytetarët e saj në mars të shtynin udhëtimin derisa të kishte më shumë qartësi mbi luftën. Tani pritet që rreth 221.000 pelegrinë nga Indonezia të marrin pjesë në Haxh. Vendi ka përgatitur plane evakuimi për raste emergjente. Edhe shtete të tjera me shumicë myslimane kanë dhënë më pas dritën jeshile për pelegrinët.

A mund të sulmojë Irani Mekën?

Ekspertët e konsiderojnë shumë të pamundur që Irani të ndërmarrë sulme ndaj Mekës. Vendet e shenjta atje janë të rëndësisë së madhe edhe për myslimanët iranianë dhe Irani e konsideron veten Republikë Islamike. Për më tepër, edhe pelegrinë iranianë do të ndodhen në Mekë.

Megjithatë, ekzistojnë shqetësime për shkak të luftës, sidomos për raketa të devijuara ose aksidente. Qeveria saudite publikoi së fundmi pamje të baterive raketore Patriot të vendosura rreth vendeve të shenjta dhe theksoi sistemin e saj të mbrojtjes ajrore me disa shtresa.

Analistët e revistës online “House of Saud” paralajmërojnë për rreziqe të mundshme nga mbetjet e raketave të rrëzuara ose dronët e devijuar. Sipas tyre, edhe më serioze do të ishin pasojat e një sulmi ose aksidenti në reaktorin bërthamor iranian në Bushehr. Në një rast të tillë, ndotja radioaktive mund të arrinte deri në Arabinë Saudite.

Pasojat ekonomike

Konflikti në Lindjen e Mesme ka edhe pasoja ekonomike për Haxhin e këtij viti. Rritja e çmimit të karburantit të avionëve e bën udhëtimin më të shtrenjtë. Shumë kompani ajrore kanë anuluar rrugët drejt rajonit ose shmangin hapësira ajrore të caktuara, duke rezultuar në fluturime më të gjata dhe më të kushtueshme.

Sigurimet luajnë gjithashtu një rol më të madh se më parë. Arabia Saudite kërkon që pelegrinët e huaj të kenë sigurim udhëtimi. Megjithatë, shumë polica nuk mbulojnë dëmet nga konfliktet ushtarake. Sigurimet për zona konflikti janë shumë më të shtrenjta, kështu që në raste emergjente, pelegrinët shpesh duhet t’i mbulojnë vetë kostot shtesë./DW/KJ

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB