POSTIMET E FUNDIT

Presheva: vendi që jeton brenda nesh

Nga Dashnim Hebibi, Zürich

Me dajën Bekimin sot e pimë kafen buzë liqenit të Cyrihut, mes qetësisë dhe hijeshisë së këtij metropoli evropian.

Pamja ishte madhështore.

Qyteti plot jetë, njerëzit në lëvizje, anijet që përshkonin liqenin qetë sikur koha të mos ekzistonte fare.

Gjithçka dukej perfekte…

por mendja na iku larg — shumë larg — në Preshevë.

Atje ku nuk ka liqe si në Cyrih,

as shkëlqimin marramendës të qyteteve të mëdha evropiane,

por ka diçka që nuk zëvendësohet me asgjë në këtë botë:

ngrohtësinë që ta mbush shpirtin edhe kur je larg saj me mijëra kilometra.

Folëm gjatë për ato ditë rinore që nuk harrohen kurrë.

Për kohën kur buzëqeshja ishte më e lehtë,

kur shoqëria kishte më shumë zemër,

kur ëndrrat ishin të mëdha edhe pse xhepat nuk ishin plot,

dhe kur edhe gjërat më të vogla dukeshin sa një botë e tërë.

U munduam t’i zëmë në një qoshe të zemrës ato kujtime…

por e kuptuam se ato nuk kanë qenë kurrë në qoshe.

Ato jetojnë mu në mes të zemrës sonë,

sepse aty u formësuam, aty u rritëm, aty mësuam çfarë është jeta.

M’u kujtuan hapat drejt shkollës së mesme “Skënderbeu”.

Ato mëngjese të hershme kur niseshim me çanta në supe e me shpresë në zemër.

Ende sikur e dëgjoj zhurmën e ziles së shkollës që lajmëronte fillimin e orës,

ato korridore plot zëra rinorë,

ato shikime plot ëndrra për një të ardhme më të mirë.

Sa të thjeshta dukeshin ato ditë…

por sot e kuptojmë se ishin thesar për shpirtin.

Cyrihu ka liqenin e tij madhështor,

ka barkat, anijet dhe bukurinë që ta merr syrin,

por në shpirtin tonë më shumë vlerë kanë ato zogjtë që i dëgjonim çdo mëngjes në Preshevë,

kur dita niste me cicërima e me shpresë.

Sepse ka vende që të impresionojnë për një moment,

por ka vende si Presheva që jetojnë brenda teje përgjithmonë.

Vende që nuk i merr dot largësia,

nuk i fshin koha

dhe nuk i zbeh as jeta.

Sa çuditshëm funksionon malli…

Në mes të bukurisë së Cyrihut, zemra prapë kërkon rrugët e Preshevës,

ato kujtime të pastra që vitet nuk arrijnë t’i zbehin.

Dhe sa herë rikthehen temat e rinisë,

njeriu nuk plaket…

vetëm i ringjallet shpirti,

i mbushet zemra me mall,

dhe e kupton se pasuria më e madhe nuk janë vendet që sheh sot,

por kujtimet që të kanë ndërtuar dje.

Maj, 2026

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB