Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka publikuar një mesazh në rrjetin e tij social “Facebook” me rastin e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, duke e lidhur figurën e rilindësit të madh me rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Rama e cilësoi si “një mister të gëzueshëm” përkimin e këtij përvjetori me hapjen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë e quajti Naim Frashërin “Shqipëribërësin e madh dhe të pavdekshëm”, ndërsa theksoi se Shqipëria synon që viti 2030, kur shënohen 130 vjet nga ndarja nga jeta e poetit, të kurorëzohet si “Viti Europian i Naimit”. Sipas Ramës, “Shqipëria 2030” do të jetë një vend “i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar”, duke iu referuar aspiratës historike të rilindësve shqiptarë për orientimin perëndimor të vendit.
Mesazhi i plotë:
MIRËMËNGJESEshtë një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.
Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë.
Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon.
Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar.Javë të mbarë, transmeton abcnewsal. Javë të mbarë/




