
Nga Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
Është një maskë prej xhami,
që thyhet vetëm kur nuk ka më fytyrë brenda.
Është një shkrim i padukshëm mbi murin e kohës, ku letra nuk ekziston, por gjurmët duken si plagë.
Dinakeria moderne nuk flet, ajo hesht,
dhe në heshtje ndërton skena me dritë të rreme.
Ajo të bën të shohësh pasqyrën si dritare,
dhe dritaren si mur që s’ka për t’u kaluar.
Është art i sofistikuar i një teatri pa aktorë,
ku rolet janë të shpërndara në duart e hijes.
Është qeshje që të thërret, e më pas të shndërron në përbindësh pa emër.
Dinakeria moderne nuk është më thjesht mashtrim, ajo është arkitekturë e mendimit të rremë, shkencë e maskimit,
filozofi e zbrazëtirës që duket e mbushur.
Ajo nuk përdor shpatë, as helm,
por algoritme që ushqejnë dëshirën tënde.
Është një orë pa akrepa, që të bind se koha po ecën, ndërsa ti je i palëvizur.
Ajo është besa e thyer,
e veshur me kostum korrektësie.
Është fjala e ëmbël,
që bart në brendësi kripën e detit të hidhur.
Dinakeria moderne është udhëtim pa udhëtarë,
është rrugë që mbaron aty ku fillon,
është besim i shitur në tregun e dyshimit,
është dritë artificiale që s’ngroh, vetëm verbon.
Dhe ti pyet:
Si ta njoh dinakerinë moderne?
Si ta dalloj prej miqësisë, prej dashurisë?
E vërteta është: s’mund ta njohësh,
derisa ajo të ketë hyrë thellë në gjakun tënd,
si një poezi që e lexon, por kurrë s’e kupton,
se çdo varg është shkruar për të të fshehur,
jo për të të shpjeguar.
Vetëm kështu…