Nga janari i vitit 2027, rruga drejt marrjes së patentës së shoferit në Zvicër do të ndryshojë ndjeshëm. Qeveria federale ka vendosur të modernizojë sistemin e formimit për drejtuesit e rinj, duke sjellë rregulla të reja që synojnë rritjen e sigurisë në trafik dhe përgatitjen më të mirë të kandidatëve për sfidat e qarkullimit modern.
Deri më tani, procedura për marrjen e patentës ndiqte një rend të njohur: kursi i ndihmës së parë, provimi teorik, kursi i njohurive të trafikut (VKU), provimi praktik dhe më pas kursi WAB. Me reformën e re, renditja ndryshon. Nga 1 janari 2027, kandidati do të duhet të përfundojë kursin VKU para se të paraqitet në provimin teorik.
Ky ndryshim konsiderohet një hap i rëndësishëm nga autoritetet zvicerane, të cilat besojnë se njohuritë bazë mbi trafikun, sjelljen në rrugë dhe rreziqet duhet të mësohen më herët. Një tjetër risi është se katër modulet e kursit VKU nuk do të mund të zhvillohen më brenda një dite intensive, por do të ndahen në katër ditë të ndryshme, me qëllim që nxënësit të kenë më shumë kohë për të përvetësuar informacionin.
Reforma sjell gjithashtu përmbajtje të reja mësimore. Në të ardhmen, kursantët do të mësojnë edhe për sistemet moderne të asistencës në drejtim, teknologjitë që sot janë pjesë e makinave të reja dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë rrugore. Për pasojë, edhe provimi teorik do të përfshijë pyetje të lidhura me temat e trajtuara në VKU.
Sipas Zyrës Federale të Rrugëve (ASTRA), pyetjet e reja do të fokusohen në fusha si njohja e rreziqeve në trafik, aftësia për drejtim dhe shpërqendrimi, bazat ligjore të qarkullimit si dhe çështje që lidhen me mjedisin dhe efikasitetin energjetik. Autoritetet theksojnë se nuk synojnë ta bëjnë provimin më të vështirë, por më të përshtatshëm me realitetin aktual të trafikut.
Megjithatë, në opinionin publik kanë nisur debatet dhe shqetësimet se marrja e patentës mund të bëhet më e ndërlikuar për të rinjtë. Instruktorët e autoshkollave e shohin ndryshe këtë çështje. Michael Gehrken, president i organizatës kombëtare L-drive, thotë se reforma ka ardhur me vonesë, pasi sistemi aktual nuk i përgjigjet më kërkesave të kohës moderne.
Sipas tij, shumë nxënës paraqiten në autoshkollë me mungesa të mëdha njohurish bazë. “Boshllëqet në dije janë shqetësuese dhe ndonjëherë alarmante”, shprehet ai, duke shtuar se kursi i ri VKU është vetëm një hap i parë dhe se në të ardhmen do të nevojitej edhe më shumë kohë dhe trajnim.
Ai nënvizon se provimi teorik do të mbetet një test klasik me alternativa, ndaj ndryshimet nuk duhet të krijojnë panik tek kandidatët. Përkundrazi, sipas tij, si provimi teorik ashtu edhe ai praktik duhet të bëhen gradualisht më rigorozë për hir të sigurisë në rrugë. Në një kohë kur trafiku po bëhet gjithnjë e më kompleks dhe automjetet po pajisen me teknologji inteligjente, Zvicra po përpiqet të krijojë një brez shoferësh më të përgjegjshëm, më të ndërgjegjshëm dhe më të përgatitur. Reforma e vitit 2027 nuk shihet vetëm si një ndryshim administrativ, por si një investim afatgjatë në kulturën e sigurisë rrugore në vend, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.
Foto ilustrim




