NGA: ALBAN HAJRUSHI
Dje, më 8 qershor 2026, në Komunën e Shtimes, në ambientet e Bibliotekës së Qytetit, u organizua një aktivitet i veçantë kulturor, ku shkrimtari, studiuesi dhe kritiku letrar z. Shefqet Dibrani dhuroi një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë së tij letrare për Bibliotekën e Qytetit, si dhe për dy shkollat e mesme të komunës sonë, Gjimnazin “Naim Frashëri” dhe për shkollën profesionale “Institucioni i Arsimit dhe Aftësimit Profesional” (IAAP). Kjo ngjarje e rëndësishme u mirëprit nga udhëheqësi i Arsimit në Komunën e Shtimes, z. Lulzim Sahiti, prof. Abdyl Hajredini, drejtorët e shkollave z. Labinot Rexhaj dhe z. Rexhep Hasani, si dhe nga znj. Zejnepe Shala-Zeqa, përgjegjëse e Bibliotekës së Qytetit, e cila ishte mikpritëse e këtij organizimi. Ky kontribut i çmuar përfaqëson një vlerë të rëndësishme për pasurimin e fondit bibliotekar dhe promovimin e kulturës së leximit tek gjeneratat e reja. Veprat e dhuruara do të jenë në shërbim të nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë lexuesve, duke ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit kulturor dhe arsimor në komunën tonë. Dhurimi i këtyre veprave dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të z. Shefqet Dibrani ndaj librit, dijes dhe kulturës shqiptare, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin intelektual dhe kulturor të të rinjve tanë.
Kjo nismë përbën një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërmjet krijuesve, institucioneve arsimore dhe bibliotekave në funksion të edukimit dhe përhapjes së kulturës së leximit.
P.S. Mirëpres dhe jam i hapur, si dhe vlerësoj çdo kontribut nga shtëpitë botuese, shkrimtarët, poetët, studiuesit dhe kritikët letrarë, të cilët me veprat e tyre mund të ndihmojnë në pasurimin e Bibliotekës së Qytetit dhe të bibliotekave të shkollave të Komunës së Shtimes, në shërbim të dijes, arsimit dhe kulturës./BS




