NË MBËSHTETJE TË STUDENTËVE QË PO PROTESTOJNË NË TIRANË: „SHQIPËRIA ËSHTË E SHQIPTARËVE DHE JO E ATYRE QË E NËPËRKËMBIN DINJITETIN E POPULLIT!”
Arsim Mulliqaj nga Milano solidarizohet me studentët dhe protestuesit në Shqipëri: „Kërkojmë ndaljen e dhunës kundër studentëve dhe protestuesve që me të drejtën demokratike po protestojnë për ndryshime politike.”
Pamjet që po vijnë nga Tirana janë shqetësuese dhe, po ashtu, të dhimbshme për ne mërgimtarët. Ato prekin ndjenjat e çdo shqiptari që e do vendin e vet dhe që dëshiron ta shohë Shqipërinë të zhvilluar, demokratike dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e saj.
Studentët janë pasuria e sotme dhe e së nesërmes. Ata janë ardhmëria jonë shqiptare, shpresa e familjeve tona dhe forca që duhet ta çojë shoqërinë përpara. Prandaj, kërkojmë nga autoritetet e sigurisë që të reflektojnë mbi punën e tyre dhe mënyrën se si sillen përballë rinisë studentore, e cila ka shpërthyer në protesta kundër qeverisë aktuale dhe, me të drejtë, po kërkon që padrejtësitë të ndëshkohen. Dhjetëra, qindra e mijëra protestues në Tiranë e në gjithë Shqipërinë, por edhe në mërgatë, po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Prej muajsh, ata nuk po ndalen në kauzën e tyre demokratike, me një qëllim të vetëm: Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e atyre që e nëpërkëmbin dinjitetin e popullit!
Arsim Mulliqaj nga Milano: Solidaritet me studentët dhe popullin shqiptar
Me shumë kujdes dhe vëmendje po i ndjekim ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe pakënaqësitë e popullit tonë atje. Me dëshmi, i kam dëgjuar rrëfimet e shumë protestuesve në Milano, të cilët flasin për gjendjen që, sipas tyre, ka mbizotëruar për shumë vite në institucione, ku mungon kultura e punës, përgjegjësia dhe llogaridhënia. Janë rrëfime që më kanë shtyrë t’u bashkohem protestuesve në Milano, në përkrahje të protestuesve në Shqipërinë mëmë. Prej ditës së djeshme, kur po shoh pamje rrëqethëse, ku studentët rrihen pa mëshirë, qytetarët goditen dhunshëm dhe të moshuarit shqelmohen nga forcat e rendit, ndiej dhimbje dhe shqetësim të thellë për atë që po ndodh në vendin tim. Kjo polici e dhunshme duhet të ndalet menjëherë me metodat e shtypjes kundër popullit tim vëlla. Studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Protesta paqësore dhe shprehja e mendimit janë pjesë e të drejtave demokratike të qytetarëve.
Ndaleni dhunën kundër studentëve dhe protestuesve!
Kërkojmë ndaljen e dhunës kundër studentëve dhe protestuesve, të cilët me të drejtën e tyre demokratike po protestojnë për ndryshime politike. Rinia studentore nuk duhet të shihet si armike, por si pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe e së ardhmes së Shqipërisë. Zëri i saj duhet dëgjuar, kërkesat duhet të trajtohen me seriozitet dhe çdo pretendim për padrejtësi duhet të marrë përgjigje përmes institucioneve dhe mekanizmave të përgjegjësisë. Ne, si mërgimtarë, nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë pamjeve dhe zhvillimeve që na shqetësojnë. Largësia nuk na ndan nga atdheu, as nga dhimbja e qytetarëve tanë. Përkundrazi, na bën të ndiejmë edhe më shumë përgjegjësi për të ngritur zërin kur besojmë se dinjiteti i popullit po cenohet.
„Rama, jepe dorëheqjen sa më parë!”
Unë solidarizohem me studentët protestues dhe me gjithë popullin tim, i cili tash e sa muaj e gjen veten në rrugë e sheshe, duke protestuar për jetën e vet, për fëmijët e vet dhe për një Shqipëri të re. Një Shqipëri ku institucionet të punojnë për qytetarët, ku përgjegjësia dhe llogaridhënia të jenë detyrim, ku të rinjtë të kenë shpresë për të ardhmen dhe ku askush të mos ndihet i nëpërkëmbur në vendin e vet. Kërkesat e qytetarëve duhet të dëgjohen, ndërsa përgjegjësia politike duhet të jetë pjesë e çdo demokracie që respekton vullnetin dhe dinjitetin e popullit.
Rama, jepe dorëheqjen sa më parë!
Rrnoftë populli im!
Arsim Mulliqaj
Milano, 14 tetor 2026










