
Nga Dashnim HEBIBI
Sot, më 10 Qershor, përkulemi me respekt para një prej datave më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Kjo është dita kur në vitin 1878, në Prizrenin historik, u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lëvizja e parë e organizuar politike dhe kombëtare e shqiptarëve, e cila u bë zëri i një kombi që kërkonte të mbrojë trojet, identitetin dhe të drejtat e tij. Në një kohë tepër të vështirë për shqiptarët, kur fuqitë e mëdha po vendosnin për fatin e Ballkanit pa pyetur popujt e tij, burrat më të mençur dhe më atdhetarë të kombit tonë u mblodhën në Prizren për t’i thënë botës se shqiptarët nuk ishin një popull pa zë, por një komb me histori, kulturë, gjuhë dhe të drejtë për të jetuar të lirë në trojet e veta. Lidhja e Prizrenit u bë simbol i qëndresës, i organizimit politik dhe i vetëdijes kombëtare shqiptare. Në këtë ditë të shenjtë për historinë tonë kombëtare, kujtojmë me nderim të veçantë Ymer Prizrenin, një nga figurat më madhore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe kryetarin e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ai ishte një burrë i urtë, largpamës dhe i përkushtuar tërësisht ndaj interesave të kombit. Me mençurinë, autoritetin dhe përkushtimin e tij, Ymer Prizreni u bë një nga shtyllat kryesore të organizimit kombëtar shqiptar në një periudhë vendimtare të historisë sonë. Sot, teksa kujtojmë veprën e tij, ngremë një lutje të sinqertë që shpirti i Ymer Prizrenit të pushojë në paqe dhe në mëshirën e Zotit, së bashku me të gjithë bashkëveprimtarët e tij që sakrifikuan jetën, pasurinë dhe qetësinë e tyre për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe të ardhmen e kombit. Ata nuk luftuan për lavdi personale, por për një ideal të madh – mbijetesën dhe dinjitetin e shqiptarëve. Sot mbushen 148 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15-të.

Fatkeqësisht, emri i Ymer Prizrenit nuk përmendet gjithmonë aq sa e meriton. Ndoshta figura e tij ka mbetur disi në hijen e zhvillimeve të mëvonshme historike, por kontributi i tij mbetet themelor. Pa Ymer Prizrenin dhe patriotët e brezit të tij, historia e ndërgjegjes kombëtare shqiptare do të ishte e paplotë. Ata mbollën farën e bashkimit kombëtar dhe krijuan themelet mbi të cilat u ndërtuan përpjekjet e mëvonshme për liri dhe pavarësi.

10 Qershori na kujton një të vërtetë të madhe historike: shqiptarët kanë qenë më të fortë sa herë kanë qenë të bashkuar. Lidhja e Prizrenit ishte dëshmia më e fuqishme se dallimet krahinore, fetare apo lokale zbehen kur mbi to qëndron interesi kombëtar. Në Prizren u bashkuan shqiptarë nga të gjitha trevat, me një qëllim të vetëm – mbrojtjen e atdheut dhe të identitetit kombëtar. Mesazhi i Lidhjes së Prizrenit mbetet po aq aktual edhe sot. Në një kohë kur përballemi me sfida të reja, duhet të kujtojmë se rruga drejt suksesit, zhvillimit dhe forcimit të kombit kalon përmes unitetit, mirëkuptimit dhe respektit për njëri-tjetrin. Historia na ka mësuar se përçarja na dobëson, ndërsa bashkimi na bën të fortë. Prandaj, sot nuk kujtojmë vetëm një ngjarje historike. Sot kujtojmë një ideal. Kujtojmë një brez burrash që menduan për kombin përpara vetes. Kujtojmë një betim të dhënë në Prizren, që shqiptarët të mos lejojnë kurrë humbjen e identitetit, dinjitetit dhe të drejtave të tyre.
Lavdi e përjetshme Ymer Prizrenit!
Lavdi Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit dhe të gjithë patriotëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre në historinë e kombit shqiptar!
10 Qershori nuk është vetëm një datë kalendarike. Është një thirrje që vjen nga historia jonë: të jemi të bashkuar, të qëndrojmë krenarë për rrënjët tona dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e kombit shqiptar. Sepse ashtu si në vitin 1878, edhe sot, uniteti mbetet forca jonë më e madhe.




