Më 13 tetor 2026, në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, u nënshkrua marrëveshja trepalëshe e bashkëpunimit ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences.
Marrëveshja parashikon financimin nga Biblioteka Kombëtare Qendrore e Firences të një programi trajnimi për tre specialistë të BKSH-së, i cili do të zhvillohet pranë këtij institucioni në Itali. Trajnimi do të përqendrohet në katalogimin e librit antik dhe të rrallë, duke synuar thellimin e njohurive profesionale dhe shkëmbimin e përvojave në trajtimin bibliografik të koleksioneve historike.

Ky bashkëpunim kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të specialistëve të BKSH-së, në përmirësimin e dokumentimit të trashëgimisë së shkruar dhe në lehtësimin e identifikimit dhe kërkimit të këtyre koleksioneve nga studiuesit dhe publiku.
Një hap i rëndësishëm drejt shkëmbimit të ekspertizës dhe zhvillimit të mëtejshëm të praktikave profesionale në fushën e bibliotekonomisë.










