ANE Një vit zhvillimesh politike në Kosovë, sfidat institucionale dhe ngjarjet që shoqëruan jetën politike të vendit kthehen në vëmendjen e lexuesit përmes librit “Një vit jetë pa institucione”, të politologut Albinot Maloku.
Libri u promovua në Bibliotekën e Qytetit “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në një aktivitet ku morën pjesë publicistë, gazetarë, studiues dhe të ftuar të tjerë nga fusha e politikës dhe e medias. Vepra fokusohet te zhvillimet politike në Kosovë përgjatë një viti, duke sjellë në mënyrë kronologjike dhe analitike ngjarjet dhe problematikat që kanë shoqëruar funksionimin institucional të vendit.
Publicisti nga Shqipëria, Ben Andoni, e vlerësoi mënyrën e qasjes së autorit ndaj temave politike, duke theksuar se Maloku ka zgjedhur një gjuhë të kuptueshme dhe të drejtpërdrejtë për të trajtuar çështje të rëndësishme për Kosovën.
“Në librin e magjistrit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktorantit tash, zotit Maloku, të gjitha shembujt jepen në mënyrë shumë natyrshme, në mënyrë shumë të thjeshtë, në mënyrë sa më të qasshme dhe në mënyrë se si individi mund t’i rrokë, po edhe të ndihet mirë. Dhe besoj që kjo është diçka e madhe. Përmes librit pastaj, një individ i ri të shikojë realisht disa nga problemet e mëdha të Kosovës”, deklaroi publicisti i njohur, Ben Andoni.
Sipas tij, libri mund t’u shërbejë veçanërisht të rinjve për të kuptuar më mirë problemet dhe zhvillimet politike në Kosovë. Për rëndësinë e veprës foli edhe ishambasadori dhe gazetari Arbër Vllahiu. Ai tha se libri mund të shërbejë si një dokument që ndihmon në rikthimin në retrospektivë të zhvillimeve politike dhe në kuptimin e arsyeve përse proceset demokratike mund të ngecin ose të zhvillohen më ngadalë.
“Kjo vepër për gazetarët dhe jo vetëm, për të gjithë ata që duan të rikujtojnë dhe kthejnë historinë në retrospektivë, do të ndihmojë ta kuptojnë se pse demokracitë ngecin, tjetërsohen apo dhe në fund të fundit zhvillohen më ngadalë”, u shpreh Vllahiu.
Ai vlerësoi gjithashtu mënyrën se si autori e ka ndërtuar librin, duke e lidhur periudhën e trajtuar me zhvillimet që i paraprinë asaj.
“Albinoti shënon me saktësi jo vetëm bëmat e një viti të plotë që është cilësuar i dështuar në Kosovë, por na kthen në zanafillën e tij, në nisjen e një qeverisjeje të re, të cilësuar ndryshe dhe të pritur me shumë entuziazëm”, tha Vllahiu.
Ndërkohë, redaktori i librit, Bajram Mjeku, u ndal te mënyra se si autori ka ndërthurur ngjarjet dhe temat politike, duke ruajtur një vijimësi të tyre përgjatë gjithë veprës. Sipas Mjekut, politologu Albinot Maloku ka arritur të ruajë “kompozicionin dhe kontinuitetin” e ngjarjeve politike të viteve të fundit në Kosovë, duke i gërshetuar ato në mënyrë të suksesshme.
“Përveç trajtimit të temave dhe çështjeve me rëndësi, dua të theksoj se gjuha, mënyra e trajtimit dhe raportet që Albinoti ka ruajtur me lexuesin e tij janë për t’u admiruar”, tha redaktori.
Në fund të promovimit, para të pranishmëve foli edhe autori i librit, politologu Albinot Maloku. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe veçanërisht prindërit e tij, të cilët i cilësoi si mbështetjen dhe autoritetet më të rëndësishme në jetën e tij.
“Mendimi mund të jetë gjithsesi gjithëpërfshirës në kuptimin e asaj se secili se jep një opinion dhe unë ndihem jashtëzakonisht po e përsëris prapë i nderuar me praninë tuaj. Lutem shumë që t’ju pëlqejë ky libër dhe gjithsesi njerëzit që dua t’i falënderoj me specifikisht janë dy që unë i kam shumë domethënë të veçantë, është mami edhe babi, që për mua janë autoritetet më përcaktuese dhe fuqia ime në çdo rrjedhë të ngjarjeve qoftë profesionale, qoftë të karrierës e të ngjashme”, u shpreh autori i librit, Albinot Maloku.
Promovimi u përmbyll me shpërndarjen e librit për të pranishmit. “Një vit jetë pa institucione” vjen kështu si një përpjekje për të dokumentuar dhe analizuar një periudhë të rëndësishme të zhvillimeve politike në Kosovë, duke ofruar për lexuesin një pasqyrë të ngjarjeve dhe sfidave institucionale që shoqëruan atë periudhë./Gazeta Panorama/GSH










