Nga Dashnim HEBIBI
Sa jam i sotshëm,
e sa jam i nesërm?
Koha më rrëshqet si dritë mbi baltë,
një pasqyrë që thyhet në çdo hap të lodhur.
Nëpër zëra që lehin,
në hije që përkulen duke u lëpirë,
unë kërkoj një fjalë të pastër —
një frymë që s’ka frikë nga e vërteta.
Koha është turbull,
por unë jam stuhia e saj.
Nga zagarët e botës
nuk kërkoj heshtje — kërkoj zgjuarje.
Unë jam ai që ecën mes zhurmës,
me shpirtin që s’përkulet,
dhe çdo lehje e jashtme
e bën më të qartë zërin tim të brendshëm
Zëri i mençurisë nuk e rrit volumin — e rrit peshën.










