BallinaSportiShqiptarët shkëlqejnë në Evropë: Alioski shënon, Avdyli asiston, ndërsa Celje triumfon ndaj...

Shqiptarët shkëlqejnë në Evropë: Alioski shënon, Avdyli asiston, ndërsa Celje triumfon ndaj Sturm Grazit

-

Futbollistët shqiptarë kanë lënë gjurmë në ndeshjet evropiane, duke dhuruar paraqitje të shkëlqyera me skuadrat e tyre. Granit Xhaka përjetoi një mbrëmje të vështirë me Sunderlandin, që u mposht në shtëpi nga Dinamo Zagrebi, ndërsa Ezgjan Alioski, Albian Ajeti dhe Uran Bislimi festuan një fitore bindëse me Luganon. Në anën tjetër, Milot Avdyli dhe Veton Tusha shkëlqyen me fanellën e Celjes në triumfin ndaj Sturm Grazit.

Dinamo Zagrebi befason Sunderlandin e Xhakës

Surpriza e mbrëmjes u regjistrua në Angli, ku Dinamo Zagrebi triumfoi me rezultat 2:0 ndaj Sunderlandit, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Evropës. Kapiteni Granit Xhaka ishte titullar dhe luajti nga minuta e parë, por nuk arriti ta ndihmonte skuadrën e tij të shmangte humbjen. Mesfushori shqiptar pati edhe një moment shqetësues në pjesën e parë, kur pas një përplasjeje në duel me Mishiqin i shpëtoi lëndimit.

Skuadra kroate tregoi efikasitet të lartë, duke realizuar dy gola në pjesën e parë. Luka Stojkoviq zhbllokoi rezultatin në minutën e 22-të, ndërsa në minutën e 39-të asistoi për Dion Beljon, i cili vulosi epërsinë 2:0.

Ndërkohë, Arbër Hoxha u aktivizua për Dinamon në minutën e 80-të, duke kontribuar në ruajtjen e fitores së rëndësishme të skuadrës kroate.

Alioski protagonist në fitoren e Luganos

Një mbrëmje shumë më pozitive ishte për futbollistët shqiptarë të Luganos, që triumfuan bindshëm me rezultat 3:0 ndaj Kauno Zhalgiris, në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Konferencës.

Në formacionin e skuadrës zvicerane nga minuta e parë u paraqitën Ezgjan Alioski, Uran Bislimi dhe Albian Ajeti.

Lugano kaloi në epërsi në minutën e 11-të me golin e Yanis Cimignanit, ndërsa në minutën e 24-të erdhi momenti i veçantë për shqiptarët.

Pas një harkimi të bukur të Cimignanit, Albian Ajeti goditi me kokë, por topi u përplas në traversë. I gjendur në vendin e duhur, Ezgjan Alioski përfitoi nga topi i kthyer dhe me një goditje të fuqishme e dërgoi atë në rrjetë për rezultatin 2:0.

Fitoren e Luganos e vulosi Daniel Dos Santos, i cili shënoi golin e tretë në minutën e 32-të.

Bislimi dhe Ajeti u zëvendësuan në minutën e 70-të, ndërsa Alioski ishte një nga protagonistët kryesorë të triumfit zviceran.

Avdyli asiston, Celje mposht Sturm Grazin

Paraqitje mbresëlënëse zhvilluan edhe Milot Avdyli dhe Veton Tusha me skuadrën sllovene Celje, e cila regjistroi një fitore të madhe si mysafire ndaj Sturm Grazit, me rezultat 3:2. Të dy futbollistët shqiptarë e nisën ndeshjen nga minuta e parë, ndërsa Milot Avdyli u bë protagonist me një asistim në njërin prej golave të skuadrës së tij. Celje kaloi në epërsi në minutën e 29-të, kur Svit Seslar përfitoi nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare dhe realizoi për 1:0. Sturm Grazi reagoi në minutën e 40-të, duke barazuar rezultatin me anë të Oumar Diakites. Megjithatë, skuadra sllovene riktheu epërsinë pak para përfundimit të pjesës së parë. Në minutën e 45-të, Milot Avdyli asistoi për Benjamin Verbiqin, i cili realizoi për 2:1. Në pjesën e dytë, Veton Tusha u zëvendësua në minutën e 66-të, ndërsa në minutën e 73-të Svit Seslar shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Celjen. Sturm Grazi arriti të ngushtonte rezultatin në 3:2 në minutën e 90+3, me golin e Diakites, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Me këtë fitore, Celje ngjitet në kuotën e katër pikëve dhe renditet në vendin e 23-të, me pikë të barabarta me Sturm Grazin, që gjendet në pozitën e 24-t. Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të jenë protagonistë në arenën evropiane, duke dëshmuar se talenti dhe kontributi i tyre po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin ndërkombëtar./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Gërvalla merr pjesë në darkën gala të organizuar nga Presidenca irlandeze...

0
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në një darkë gala të organizuar me ftesë të Presidencës irlandeze të...