“UÇK-ja ka nevojë për ne dhe ne do t’i përgjigjemi”. Kështu u shpreh të enjten në mbrëmje Çlirim Haziri, një prej organizatorëve të protestave kundër dënimeve të dhëna nga Gjykata Speciale ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë tubimit, Haziri dhe folës të tjerë deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke kërkuar kthimin e të dënuarve.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore.
Në turmën e protestuesve të enjten në mbrëmje kanë qenë edhe fëmijët e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Një ditë më parë, Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim dhe Kadri Veselin me 18 vjet burgim. Po ashtu, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Pas vendimit, në Kosovë janë paralajmëruar protesta të tjera. Për të premten është paralajmëruar një tubim edhe nga veteranët e luftës.
Protestat po zhvillohen nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje dhe vijimin e tubimeve në mënyrë paqësore, transmeton gshqiptare.










