Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur thirrjen për bashkimin e opozitës, duke u bërë apel forcave politike opozitare që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkërendojnë qëndrimet kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në deklaratën e tij, Berisha iu drejtua edhe drejtuesve të partive dhe lëvizjeve të reja politike, mes tyre Arlind Qorit, Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt, duke i ftuar të bëhen pjesë e një fronti të përbashkët opozitar.
Ai theksoi se është i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve me çdo aktor politik që ka si synim largimin e Edi Ramës nga pushteti, duke nënvizuar se nuk ka paragjykime apo rezerva ndaj askujt.
“Unë shfrytëzoj sërish rastin dhe i ftoj që të bashkohemi. Bashkohem që nesër! Me cilindo që bashkohet, që të largojmë Ramën nga pushteti. Me cilindo njeri. Ne nuk ftojmë me paragjykime. Me të gjithë takohem, nuk kam asnjë lloj paragjykimi. Se çfarë më quajnë, rëndësi ka të largojmë të keqen më të madhe”, u shpreh Berisha.
Përmes këtij mesazhi, kreu i demokratëve synon të përcjellë një sinjal gatishmërie për bashkëpunim me të gjitha forcat që e konsiderojnë veten pjesë të opozitës, pavarësisht dallimeve politike apo qëndrimeve të tyre. Mbetet për t’u parë nëse kjo thirrje do të pasohet nga takime konkrete dhe nëse drejtuesit e forcave të reja politike do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Berishës, në një kohë kur bashkimi i opozitës mbetet një nga sfidat kryesore të skenës politike shqiptare, transmeton euronewsal.










