BallinaKulturaCIKËL POETIK NGA GABRIELLA PICERNO - ITALI

CIKËL POETIK NGA GABRIELLA PICERNO – ITALI

-

Gabriella Picerno është psikologe, pedagoge dhe kritike letrare italiane, veprimtaria e së cilës ndërthur edukimin, krijimtarinë dhe poezinë bashkëkohore. Ajo njihet për zërin e saj kritik të kultivuar, ndjeshmërinë ndaj imazheve simbolike dhe arketipale, si dhe aftësinë për t’i interpretuar tekstet letrare përmes këndvështrimeve poetike dhe psikologjike.

Si autore dhe vëzhguese e jetës kulturore, ka botuar libra, ese dhe një numër të madh kritikash letrare. Krijimtaria e saj është përkthyer në shtatë gjuhë dhe është botuar në më shumë se pesëmbëdhjetë vende, duke e afirmuar si një zë të njohur ndërkombëtarisht në letërsinë bashkëkohore. Shkrimet e saj eksplorojnë ndërthurjen e botës së brendshme me gjuhën dhe imagjinatën, duke i kushtuar vëmendje të veçantë dimensioneve emocionale dhe simbolike të përvojës njerëzore.

Gabriella bashkëpunon me institucione arsimore, organizata kulturore dhe projekte artistike, duke hartuar programe krijuese dhe pedagogjike për fëmijë, familje dhe profesionistë. Formimi i saj ndërdisiplinor i mundëson ta trajtojë poezinë jo vetëm si formë letrare, por edhe si një hapësirë jehone psikologjike dhe lidhjeje njerëzore.

Angazhimi i saj i kohëve të fundit në fushën e poezisë bashkëkohore kineze, përfshirë studimet kritike mbi Jiang Yimao dhe përkthimet e veprave të Yuan Cun, dëshmon përkushtimin e saj ndaj dialogut ndërkulturor dhe gjuhëve universale të simbolikës, natyrës dhe botës së brendshme.

Ajo jeton dhe punon në Itali, ku vijon të shkruajë, të japë mësim dhe të zhvillojë projekte në ndërthurjen e psikologjisë, artit dhe letërsisë.

KËMBËZBATHUR PRANË TEJE

I hoqa sandalet e mia, aty, 

pranë këpucëve të tua prej cohëze blu. 

Më dukeshin si valë deti, 

me erën gërshetuar.

Ia kishim mbathur, 

për t’u rigjetur në dëshirat tona, 

në atë intimitet gjallërues, 

përbërë me vështrime dhe flokë rebelë, 

nga fjalë të heshtura e lëkurë qelibari.

Një puhizë e lehtë mbi buzë mjaftonte, 

një dorë e ngadaltë dhe e sigurt fliste, 

tregonte për ne, 

shpirtra të kompletuar së bashku, 

e megjithatë tani të largët, 

që kërkohen në mendime, 

në puthjet e dhuruara, 

kurrë të harruara.

MES BUZËSH, BOTA

Në puthjet tona 

këndon shpirti, 

e bëhet i dlirë.

Buzët e njomura 

jetojnë në dëshira, 

përvëlohen, 

shndërrohen si trup 

i botës.

Fryma jote 

imja bëhet, 

jetë dhe diell është.

Në puthjen tënde 

këndojnë notat 

dhe nga psherëtimat 

dashuria në mish kthehet,

yje lulesh, 

pakt i përsosur i një zjarri 

që nuk humbet.

LULE QË VALLËZOJNË NË ERRËSIRË

U takuam në një gjest, 

në një vështrim

dhe lëkura nisi të vallëzonte.

Lehtazi,

këmbët tingujt në ajër ndiqnin

teksa ëndrrat përkundeshin me ritmin.

Të përqafuar, 

hapat tanë të shpejtë bëheshin, 

të sigurtë e plot pasion.

Në tango u gjetëm sërish, 

si lule që çelin në errësirë.

(Përktheu: Angela Kosta)

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Clinton ia parashikoi të ardhmen në vitin 2007, sot shkruan historinë:...

0
Nga një student me origjinë egjiptiane, të cilit Bill Clinton i sugjeroi të hynte në politikë, në një figurë historike të politikës amerikane. Abdul...