Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në një darkë gala të organizuar me ftesë të Presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku të pranishëm ishin miq dhe partnerë evropianë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe partnerëve evropianë në fushën e drejtësisë, si dhe angazhimi i përbashkët për mbrojtjen e vlerave demokratike.
Ajo ka theksuar se reformat në sistemin e drejtësisë, luftimi i korrupsionit, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit mbeten ndër prioritetet kryesore të bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Sipas Gërvallës, drejtësia nuk njeh kufij kur bëhet fjalë për vlerat që mbrojnë demokracinë, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit dhe përkushtimit të përbashkët për forcimin e institucioneve dhe shtetit të së drejtës.
Ndërkaq, ministrja ka bërë të ditur se këto çështje do të jenë në fokus edhe të takimeve dhe diskutimeve të radhës me partnerët evropianë, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi.
Ky forum pritet të shërbejë si një mundësi për të diskutuar bashkëpunimin rajonal dhe evropian në avancimin e reformave në drejtësi, luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit./BS










