Nga Prof.dr. Pal NIKOLLI
Pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, një gjë duhet thënë pa ekuivok: Kosova dhe Shqipëria duhet ta ndërpresin politikën e reagimeve në Facebook dhe ta kthejnë çështjen e krerëve të UÇK-së në një veprim serioz, institucional dhe juridik.
Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi janë dënuar në shkallë të parë për vepra penale të lidhura me vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Por procesi juridik nuk përfundon me një aktgjykim të shkallës së parë. Ekziston procedura e apelit dhe pikërisht aty duhet të përqendrohet tani çdo përpjekje serioze për mbrojtjen juridike të të akuzuarve.
Kjo është arsyeja pse qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të kalojnë nga retorika te dokumenti, nga deklarata te eksperti, nga protesta te dosja juridike.
Nuk mjafton të thuhet se “UÇK-ja është e pastër”. Nuk mjafton as të shpërndahen fotografi të ish-komandantëve, të shkruhen mijëra statuse patriotike apo të organizohen tubime. Historia nuk ndryshohet me Facebook dhe një aktgjykim nuk rrëzohet me duartrokitje.
Shtetet shqiptare duhet të tregojnë ku qëndron gabimi juridik në vendimin e gjykatës.
Duhet të financohet dhe të mbështetet, në mënyrë transparente dhe brenda kufijve të ligjit, një ekip i fuqishëm ndërkombëtar juristësh e studiuesish që të analizojë:
– interpretimin e provave nga Trupi Gjykues;
– standardin e provës dhe mënyrën e vlerësimit të provave;
– përgjegjësinë individuale të secilit të akuzuar;
– lidhjen juridike midis të pandehurve dhe veprave konkrete;
– përdorimin dhe peshën e dëshmive të dëshmitarëve;
– çështjet që lidhen me dëshmitë konfidenciale dhe mbrojtjen e dëshmitarëve;
– interpretimin e dokumenteve dhe zinxhirit të komandimit;
– çdo çështje të juridiksionit, mandatit dhe interpretimit të kuadrit ligjor;
– çdo mospërputhje ndërmjet konstatimeve faktike dhe përfundimeve juridike të aktgjykimit.
Kjo nuk do të thotë ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës. Përkundrazi: një shtet serioz nuk i kërkon gjykatës të japë një vendim të caktuar; ai siguron që mbrojtja juridike të ketë të gjitha mjetet profesionale për të kundërshtuar një vendim që e konsideron të gabuar.
Prandaj Shqipëria dhe Kosova duhet të mendojnë edhe për krijimin e një mekanizmi të përbashkët institucional për dokumentimin, studimin dhe analizën juridike të të gjitha çështjeve që lidhen me luftën e Kosovës, me historianë, juristë ndërkombëtarë, ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare, arkivistë dhe studiues të pavarur.
Sepse ekziston një dallim thelbësor midis mbrojtjes politike të një figure dhe mbrojtjes juridike të një personi të akuzuar. E para prodhon deklarata. E dyta prodhon prova, argumente, kundërshtime dhe mjete juridike. Dhe sot, pikërisht kjo e dyta është ajo që nevojitet.
Qeveritë shqiptare duhet gjithashtu të mbështesin sistematikisht kërkimin dhe publikimin e dokumenteve arkivore të luftës, dëshmive, hartave, dokumenteve ushtarake, diplomatike dhe ndërkombëtare, gjithmonë duke respektuar rregullat e provës, privatësinë dhe mbrojtjen e viktimave e dëshmitarëve.
Sepse lufta nuk mbrohet vetëm me kujtesë patriotike. Ajo duhet dokumentuar.
UÇK-ja nuk mund të mbrohet vetëm duke thënë se ishte një luftë çlirimtare. Kjo është një çështje historike dhe politike. Por përgjegjësia penale e individëve është një çështje tjetër: ajo duhet të provohet për secilin person, për secilën vepër dhe sipas standardeve të së drejtës penale. Pikërisht këtu duhet të përqendrohet beteja.
Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të nxjerrin në dritë elementet juridike që mund të çojnë në rrëzimin ose ndryshimin e aktgjykimit. Le t’i financojnë studimet. Le t’i vënë në dispozicion arkivat. Le të mbështesin mbrojtjen profesionale. Le të kontaktojnë ekspertët më të mirë të së drejtës penale ndërkombëtare. Le të dokumentojnë çdo problem të mundshëm procedural dhe material.
Jo presion mbi gjykatën. Jo fushatë kundër gjykatës. Por një kundërshtim juridik i fuqishëm, profesional dhe i argumentuar. Kjo është rruga institucionale.
Sepse në fund të fundit, një çështje kaq e rëndë nuk mund të lihet në duart e Facebook-ut. Facebook-u mund të shprehë zemërimin. Mund të shprehë dhimbjen. Mund të shprehë solidaritetin. Por Facebook-u nuk apelon një aktgjykim. Apelimi bëhet me avokatë. Me dosje. Me prova. Me ekspertizë. Me argumente juridike. Me punë shumëvjeçare.
Bindja se krerët e UÇK-së janë dënuar padrejtësisht duhet të shndërrohet në një projekt institucional për ta provuar këtë në gjuhën e së drejtës. Kjo është detyra që qëndron përpara Prishtinës dhe Tiranës./GD










