Nga Paulin Zefi
*Në vitin 169 p.K., mbreti Gent e përdori qytetin e Lisit (Lezhës) si rezidencë të përkohshme mbretërore, kryeqytet diplomatik dhe bazë kryesore të veprimtarisë së ushtrisë së tij. Në këtë kuadër, ai organizoi edhe vendosjen e 15.000 trupave mbretërore brenda hapësirës së fortifikuar të qytetit, duke ngritur kazermat ushtarake brenda mureve rrethuese. Koncept-ideja ime për statujën e Mbretit ilir Gent në Lezhë, e paraqet atë të ulur në fron, me qëndrim të drejtë, solemn dhe imponues, duke përcjellë njëkohësisht autoritetin e sovranit dhe forcën e një udhëheqësi ushtarak. E kam konceptuar figurën me trup të zhvilluar, të fuqishëm dhe me përmasa proporcionale, në një trajtim që synon të ndërthurë atributet e pushtetit politik me ato të traditës luftarake ilire. Për veshjen dhe pajisjet mbrojtëse jam mbështetur në elemente të ikonografisë së luftëtarit ilir. Mbi kokë e kam paraqitur Gentin me kapelën karakteristike të tipit “Kausia”, me të cilën paraqitet imazhi i tij në monedhat e Lisit (Lezhës). Në anën tjetër të këtyre monedhave paraqitet një anije ilire, e shoqëruar me legjendën LISSI-TAN [ΛΙΣΣI-ΤΑΝ], duke krijuar për mua një lidhje të drejtpërdrejtë simbolike ndërmjet mbretit, qytetit të Lezhës dhe fuqisë detare të Lisit.
Në dorën e djathtë e kam vendosur shpatën, si simbol të autoritetit ushtarak, fuqisë dhe vendosmërisë së Mbretit Gent për mbrojtjen e mbretërisë së tij. Shikimin e tij e kam konceptuar të drejtuar simbolikisht nga Roma, duke e vendosur figurën në prag të përballjes me fuqinë romake dhe duke evokuar një nga momentet më dramatike të historisë së Mbretërisë Ilire. Froni përbën një nga elementet qendrore të konceptit tim artistik dhe simbolik. Në pjesët anësore të tij kam vendosur koka luani, të cilat i kam përzgjedhur si simbole të fuqisë, autoritetit, guximit dhe sovranitetit. Pjesën më të madhe të fronit, njësoj si disa elemente të veshjes së mbretit, e kam dekoruar me motive të lules “Gentiana”, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë simbolike me vetë figurën e Mbretit Gent.
Kjo zgjedhje lidhet me një traditë të dokumentuar, sipas së cilës kjo bimë alpine, e njohur për vetitë e saj shëruese, lidhet posaçërisht me emrin e Mbretit Gent, të cilit i atribuohet zbulimi i përdorimit të saj medicinal. Në pjesën ballore të bazamentit të fronit kam vendosur paraqitjen e një anijeje ilire të tipit “Liburna”, si simbol të fuqisë detare dhe të traditës së ndërtimit e përdorimit të mjeteve lundruese luftarake në hapësirën ilire. Me këtë element kam synuar të krijoj një lidhje të drejtpërdrejtë me ikonografinë e monedhave të Lisit dhe me rolin strategjik që qyteti kishte në kontrollin e hapësirës bregdetare dhe të komunikimit detar. Në tërësi, përmes këtij koncepti kam synuar të ndërthur figurën e Mbretit Gent me historinë e Lisit, duke i dhënë statujës një karakter jo vetëm monumental, por edhe të pasur me referenca historike, arkeologjike dhe simbolike.
Çdo element i kompozimit, duke nisur nga qëndrimi i mbretit, kausia dhe shpata, te froni me kokat e luanit, motivet e Gentianës dhe anija ilire, është menduar si pjesë e një gjuhe të vetme simbolike, që synon të shprehë fuqinë e Mbretit Gent dhe lidhjen e tij të ngushtë me qytetin antik të Lisit. Lartësia e veprës duhet të jetë jo më pak se 2.5 m, e realizuar tërësisht në bronz. Statuja duhet të vendoset mbi një piedestal me lartësi rreth 2 m, i ndërtuar me blloqe të mëdha guri ciklopik, në analogji të drejtpërdrejtë me teknikën e ndërtimit dhe karakterin monumental të mureve antike ilire të Lisit. Në pjesën e pasme të monumentit, në të dyja anët, duhet të vendosen dy kolona cilindrike të larta prej mermeri, të cilat në pjesën e sipërme duhet të bashkohen me një arkitra të stilizuar, po prej mermeri. Ky element arkitektonik do të krijonte një sfond monumental dhe shumë impozant për figurën e Mbretit Gent, duke ndërthurur artin figurativ me gjuhën arkitektonike të traditës antike të Lisit.
“Pasi të nderojmë Mbretëreshën Teuta, herët a vonë, rradhën e ka Mbreti Gent!”. /GDielli










