BallinaKulturaSHQIPTARËT NË FILATELINË E MAQEDONISË SË VERIUT

SHQIPTARËT NË FILATELINË E MAQEDONISË SË VERIUT

Nga Besnik Fishta

Filatelia e një vendi nuk është vetëm pasqyrë e historisë së tij postare. Pulla postare është një dokument i vogël shtetëror, një dëshmi e kohës dhe, në shumë raste, një mënyrë përmes së cilës një shtet zgjedh të paraqesë historinë, kulturën, personalitetet dhe komunitetet që jetojnë brenda tij. Për këtë arsye, studimi i mënyrës se si Shqipëria dhe shqiptarët janë trajtuar në filatelinë e Maqedonisë së Veriut përbën një temë me interes të veçantë për historinë postare, por edhe për historinë kulturore e shoqërore të këtij vendi.

Territori i sotëm i Maqedonisë së Veriut ka kaluar nëpër administrime dhe struktura të ndryshme shtetërore përpara krijimit të shtetit modern maqedonas. Për këtë arsye, në periudhat para Luftës së Dytë Botërore nuk mund të flitet për emetime postare të një shteti maqedonas të pavarur, në kuptimin që e kemi sot. Administratat osmane, serbe, bullgare dhe struktura të tjera shtetërore kanë lënë gjurmët e tyre në historinë postare të këtij territori. Një dëshmi interesante gjatë periudhës së vitit 1944 lidhet edhe me përdorimin e pullave bullgare gjate pushtimit gjerman, të mbishtypura me mbishkrimin “Македония – 8. IX. 1944”, një episod ky me interes të veçantë për koleksionistët dhe studiuesit e historisë postare të këtij territori.

Pas vitit 1945, me krijimin e Republikës Socialiste të Maqedonisë brenda Federatës Jugosllave, shërbimi postar u përfshi në sistemin federal jugosllav. Për këtë arsye, për një periudhë të gjatë nuk kemi një filateli shtetërore të pavarur maqedonase. Pulla dhe shërbimi postar funksiononin brenda kuadrit të sistemit postar jugosllav.

Një kthesë e rëndësishme erdhi pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë në vitin 1991, filloi edhe një kapitull i ri i historisë së saj filatelike. Emisionet e para të viteve të pavarësisë shënojnë fillimin e një identiteti të veçantë postar, i cili më pas do të pasqyrohej edhe në mënyrën e emërtimit të vendit në pulla dhe dokumente postare. Pas Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimit kushtetues të emrit të shtetit në vitin 2019, emërtimi “Republika e Maqedonisë së Veriut” u bë pjesë e identitetit të ri shtetëror dhe postar.

Por për interesat tona kombëtare ekziston një pyetje edhe më e rëndësishme: si është paraqitur hapesira shqiptare në këtë filateli?

Përgjigjja nuk mund të jetë as mohuese, as absolutisht lavdëruese. Një shqyrtim i emisioneve tregon se Posta e Maqedonisë së Veriut ka pasqyruar një numër të konsiderueshëm personalitetesh shqiptare, si dhe vlera të ndryshme që lidhen me praninë, historinë dhe kulturën shqiptare në këtë hapësirë. Në këtë kuadër gjejmë figura të shquara si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Nënë Tereza, por edhe personalitete të tjera që lidhen me letërsinë, artin, kulturën, arsimin dhe jetën shoqërore.

Tematika shqiptare në filatelinë e Maqedonisë së Veriut nuk kufizohet vetëm te portretet e personaliteteve. Ajo shtrihet edhe në fusha të tjera me rëndësi: arkitekturën dhe pamjet urbane të qyteteve me trashëgimi shqiptare; bukuritë e natyrës në trevat shqiptare; monumentet dhe trashëgiminë kulturore; si dhe elemente të tjera që lidhen me historinë dhe identitetin e kësaj hapësire. Kjo e bën praninë shqiptare në filateli më të gjerë sesa një listë portretesh dhe tregon se kultura shqiptare mund të trajtohet nëpërmjet shumë dimensioneve të saj.

Kjo është një meritë që duhet njohur. Pulla postare, kur vendos portretin e një shqiptari apo paraqet një monument, një vepër kulturore, një qytet ose një peizazh të lidhur me shqiptarët, nuk e paraqet atë thjesht si një element grafik. Ajo e vendos këtë figurë ose vlerë në hapësirën publike të kujtesës së një shteti. Në këtë kuptim, çdo emision i tillë është një dëshmi se historia dhe kultura shqiptare janë pjesë e pandashme e historisë së përgjithshme të këtij territori.

Megjithatë, një vështrim më i plotë tregon se kjo pasqyrë ende mund të pasurohet. Vihet re veçanërisht mungesa e disa figurave patriotike shqiptare, sidomos personaliteteve të rëndësishme të historisë së Kosovës. Emra si Isa Boletini dhe Hasan Prishtina, si dhe figura të tjera që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë kombëtare shqiptare, do të përbënin tema me vlerë të veçantë për filatelinë. Po kështu, në një këndvështrim më bashkëkohor, do të ishte me interes edhe përfshirja e personaliteteve të periudhave më të vona, ndër të cilët mund të përmendet Ibrahim Rugova, figurë e rëndësishme e historisë politike dhe kulturore të Kosovës.

Përmendja e këtyre mungesave nuk duhet kuptuar si kërkesë që filatelia të kthehet në një mjet të propagandës kombëtare. Përkundrazi, bëhet fjalë për një parim të thjeshtë të dokumentimit historik: një shtet shumëetnik duhet të pasqyrojë, në mënyrë sa më të gjerë dhe të ekuilibruar, larminë e historive, kulturave dhe personaliteteve që kanë kontribuar në jetën e tij dhe në hapësirën historike ku ai është formuar.

Në këtë pikë merr rëndësi të veçantë Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e nënshkruar më 13 gusht 2001. Ajo erdhi pas konfliktit të vitit 2001 dhe synoi të krijonte bazat për një shtet më gjithëpërfshirës dhe për një bashkëjetesë më të qëndrueshme ndërmjet komuniteteve. Marrëveshja lidhej, ndër të tjera, me mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në institucionet publike, përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në administratë dhe jetën publike, decentralizimin, si dhe zhvillimin e arsimit dhe kulturës së komuniteteve.

Nga këndvështrimi filatelik, këto zhvillime kanë rëndësi të veçantë. Nëse Marrëveshja e Ohrit synonte ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe njohjen e karakterit shumëetnik të shtetit, edhe filatelia mund të shihet si një nga hapësirat simbolike ku kjo bashkëjetesë shprehet dhe dokumentohet.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për gjuhën e pullës. Prania e shqipes në pullen e postes prej vitit 2019, është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është edhe ajo që një pullë zgjedh të tregojë. Një seri kushtuar shkrimtarëve, artistëve, mësuesve, studiuesve, sportistëve, personaliteteve fetare, figurave historike e patriotike, monumenteve, arkitekturës, natyrës dhe trashëgimisë shqiptare do të ishte një mënyrë për të pasqyruar më plotësisht karakterin shumëkulturor të vendit.

Në këtë kuadër, meriton të vlerësohet edhe puna e Postës së Maqedonisë së Veriut dhe e punonjësve të saj, përfshirë natyrisht edhe shqiptarët që punojnë në strukturat e saj. Pas çdo emisioni postar, çdo shërbimi dhe çdo dokumenti filatelik qëndron puna konkrete e njerëzve që e bëjnë të mundur këtë veprimtari. Kontributi i tyre në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e filatelisë meriton respekt dhe falënderim. Në vend të një vështrimi vetëm kritik, është më e dobishme që ky kontribut të shoqërohet me sugjerime dhe bashkëpunim për pasurimin e mëtejshëm të tematikave.

Studiuesit dhe filatelistët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut,si dhe nga diaspora, së bashku me institucionet postare e kulturore, mund të ndërmarrin studime dhe propozime të përbashkëta për këtë trashëgimi. Nuk do të ishte thjesht një kërkesë për “më shumë pulla shqiptare”, por një përpjekje për të dokumentuar më plotësisht historinë e përbashkët dhe për të evidentuar figura, ngjarje, monumente dhe vlera që ende mungojnë. Filatelia ka këtë veçori të rrallë: ajo mund të bashkojë atë që historia politike shpesh e ka ndarë. Një pullë është e vogël në përmasa, por e madhe në simbolikë. Ajo mund të tregojë një personalitet, një monument, një qytet, një kulturë, një gjuhë dhe, mbi të gjitha, një prani njerëzore.

Prandaj, trajtimi i shqiptarëve në filatelinë e Maqedonisë së Veriut duhet parë me vlerësim, por edhe me sy kritik dhe konstruktiv.

Merita e Postës për pasqyrimin e shumë figurave dhe vlerave shqiptare nuk duhet mohuar; përkundrazi, ajo duhet vlerësuar dhe falënderuar. Por njëkohësisht duhet pranuar se historia dhe kultura shqiptare në këtë hapësirë janë shumë më të pasura dhe se ende ka personalitete të rëndësishme patriotike, veçanërisht nga Kosova, figura të kulturës e arsimit, monumente, aspekte të arkitekturës, natyrës dhe trashëgimisë që presin të dokumentohen në filateli.Pasqyra e një shteti shumëetnik nuk matet vetëm me numrin e emrave që paraqiten në pulla, por edhe me hapësirën që u jepet historive dhe kulturave të ndryshme brenda kujtesës së tij publike. Në këtë drejtim, filatelia e Maqedonisë së Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm, por ka ende mundësi të mëdha për ta pasuruar këtë pasqyrë dhe për ta shndërruar pullën postare në një dëshmi edhe më të plotë të bashkëjetesës shumëetnike. /GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONE” PRET KRAHËHAPUR FËMIJËT

0
Më 13 Shtator 2026, në orën 10:00 të mëngjesit, nis dita e parë e shkollës, pranë Shoqatës Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Dita...