Më 13 Shtator 2026, në orën 10:00 të mëngjesit, nis dita e parë e shkollës, pranë Shoqatës Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.
Dita e parë e shkollës është gjithmonë një nga ditët më të bukura dhe më emocionuese të vitit për fëmijët, prindërit dhe mësuesit. Për Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, kjo ditë ka një kuptim edhe më të veçantë, sepse shënon vazhdimin e një misioni të shenjtë: mësimin, ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te fëmijët e bashkatdhetarëve tanë.
Gjuha amtare është një pjesë e çmuar e identitetit tonë, një lidhje e fortë me atdheun, me prindërit, familjet dhe njerëzit tanë më të dashur. Duke mësuar gjuhën shqipe, fëmijët tanë ruajnë gjallë rrënjët, kulturën dhe traditat tona kombëtare.
Mirë se vini, të dashur fëmijë!
Ju presim krahëhapur, për t’ju dhuruar bukurinë e fjalës shqipe, kujdesin dhe dashurinë e mësueseve tona të përkushtuara, si dhe mbështetjen e drejtuesve të Shoqatës. Së bashku do të përpiqemi që çdo ditë mësimi të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe me vlerë, ku ju të mësoni, të rriteni dhe të ndiheni krenarë për gjuhën dhe prejardhjen tuaj shqiptare. /GD
Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia










