Kapiteni i Francës nënshkruan marrëveshje me kompaninë me bazë në Zürich, e cila synon të hyjë fuqishëm në tregun e futbollit
Kylian Mbappé i ka dhënë fund një prej bashkëpunimeve më të gjata të karrierës së tij dhe ka nisur një kapitull të ri në botën e marketingut sportiv. Ylli francez ka mbyllur partneritetin shumëvjeçar me Nike dhe ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë zvicerane të veshjeve sportive “On”.
Marrëveshja shënon një hap të rëndësishëm për kompaninë me seli në Zürich, e cila deri tani është identifikuar kryesisht me produktet e vrapimit dhe sporteve të tjera. Me Mbappén si një nga figurat kryesore të projektit, “On” synon të bëhet pjesë e tregut global të futbollit dhe të konkurrojë me gjigantë si Nike, Adidas dhe Puma.
Sipas Reuters, kontrata e re e Mbappés përfshin pagesa financiare, por edhe pjesëmarrje në aksione të kompanisë. Vlera e marrëveshjes nuk është bërë publike.
Nga Nike te “On”
Mbappé kishte nisur bashkëpunimin me Nike që në vitin 2006, kur ishte ende fëmijë. Gjatë viteve, ai u shndërrua në një prej figurave kryesore të kompanisë amerikane në futbollin ndërkombëtar.
Tani, francezi do të ketë një rol më të drejtpërdrejtë në zhvillimin e produkteve të reja. Sipas “On”, Mbappé do të punojë me ekipet e kompanisë që merren me zhvillimin dhe testimin e produkteve për futbollin.
Kompania zvicerane planifikon të prezantojë këpucët e saj të para të futbollit në vitin 2027.
Thierry Henry merr drejtimin e futbollit
Në kuadër të zgjerimit në futboll, “On” ka emëruar ish-sulmuesin e Francës dhe Arsenalit, Thierry Henry, në postin e drejtorit të futbollit.
Sipas kompanisë, Henry ka qenë i angazhuar që nga fundi i vitit 2025 në përgatitjen e strategjisë për hyrjen e “On” në tregun e futbollit.
Në projekt do të përfshihet edhe futbollistja zvicerane e Barcelonës, Sydney Schertenleib. Ajo do të marrë pjesë në zhvillimin dhe testimin e produkteve të kompanisë për futbollin e femrave.
Nga vrapimi në futboll
“On” u themelua në Zvicër në vitin 2010 dhe u bë e njohur fillimisht për këpucët e vrapimit. Kompania më pas zgjeroi aktivitetin edhe në sporte të tjera, përfshirë tenisin.
Një prej emrave më të njohur të lidhur me markën është Roger Federer, i cili është investitor dhe partner i kompanisë.
Hyrja në futboll përfaqëson një tjetër fazë të zgjerimit ndërkombëtar të “On”, ndërsa afrimi i Mbappés i jep projektit një prej emrave më të njohur të futbollit botëror.
Për Nike, në anën tjetër, largimi i francezit përbën humbjen e një prej ambasadorëve më të rëndësishëm të saj në futboll. Mbappé kishte qenë pjesë e imazhit të kompanisë amerikane për afro dy dekada, që nga ditët e para të karrierës së tij.
Tashmë, sytë janë te viti 2027, kur “On” pritet të prezantojë zyrtarisht produktet e para të futbollit dhe të nisë konkurrimin në një treg të dominuar prej vitesh nga markat më të mëdha sportive, transmeton Reuters, BSot.










