BallinaDiaspora21,9 për qind e popullsisë së Lucernit janë të huaj, kosovarët zënë...

21,9 për qind e popullsisë së Lucernit janë të huaj, kosovarët zënë vend të rëndësishëm

-

Lucern, Zvicër – Shtetasit e Kosovës renditen ndër katër komunitetet më të mëdha të huaja në kantonin e Lucernit, duke dëshmuar praninë dhe rëndësinë e vazhdueshme të komunitetit kosovar në këtë pjesë të Zvicrës. Sipas të dhënave më të reja të publikuara nga Zyra e Statistikave e Lucernit (LUSTAT), më 4 nëntor, në fund të vitit 2025 në kanton jetonin gjithsej 96.796 shtetas të huaj me vendbanim të përhershëm. Ata përbënin 21,9 për qind të popullsisë së përgjithshme të kantonit. Pesha e popullsisë së huaj në Lucern ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë 25 viteve të fundit. Në vitin 2000, të huajt përbënin vetëm 14,8 për qind të popullsisë, ndërsa sot kjo përqindje është dukshëm më e lartë. Megjithatë, Lucerni vazhdon të jetë nën mesataren e përgjithshme të Zvicrës, e cila arrin në 27,7 për qind. Komuniteti më i madh i huaj në kanton është ai gjerman, me 16.534 banorë, që përbëjnë 17,1 për qind të popullsisë së huaj. Pas gjermanëve renditen italianët, shtetasit e Kosovës dhe portugezët. Sipas statistikave, shtetasit e Kosovës përbëjnë rreth 8,3 për qind të të gjithë banorëve të huaj në kantonin e Lucernit, duke u pozicionuar kështu në mesin e komuniteteve më të mëdha të huaja.

Numri real i shqiptarëve është edhe më i madh

Megjithatë, prania e shqiptarëve nga Kosova në Lucern është në të vërtetë më e madhe sesa tregojnë shifrat zyrtare. Kjo për faktin se statistikat përfshijnë vetëm personat që vazhdojnë të mbajnë shtetësinë e Kosovës. Shqiptarët që ndër vite kanë fituar shtetësinë zvicerane regjistrohen tashmë si shtetas zviceranë dhe nuk përfshihen në kategorinë e të huajve. Gjatë vitit 2025, në kantonin e Lucernit u vendosën 6.273 persona nga jashtë Zvicrës. Pjesën më të madhe të të ardhurve e përbënin shtetasit gjermanë me 19,6 për qind, të ndjekur nga zviceranët që u kthyen nga jashtë vendit me 11 për qind dhe italianët me 7,8 për qind. Në të njëjtën periudhë, 5.126 banorë u larguan nga kantoni për t’u vendosur jashtë Zvicrës.

Banorë nga 167 shtete të ndryshme

Të dhënat e LUSTAT tregojnë gjithashtu se në fund të vitit 2025 në Lucern jetonin persona me shtetësi nga gjithsej 167 shtete të ndryshme. Rreth 82 për qind e popullsisë së huaj vinte nga vendet evropiane, ndërsa 57,6 për qind e shtetasve të huaj kishin pasaportën e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, 25,3 për qind e banorëve me vendbanim të përhershëm në kanton kishin lindur jashtë Zvicrës. Në këtë kategori përfshihen edhe personat që ndërkohë kanë fituar shtetësinë zvicerane. Një tjetër tregues i rëndësishëm vjen nga Anketa Strukturore e Zyrës Federale të Statistikave. Sipas të dhënave për vitin 2024, rreth një e treta e banorëve të Lucernit mbi moshën 15-vjeçare kishin prejardhje migrimi. Shifrat pasqyrojnë një Lucern gjithnjë e më shumë multikulturor, ku komuniteti shqiptar nga Kosova vazhdon të jetë një pjesë e rëndësishme e mozaikut demografik dhe shoqëror të kantonit./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Rama përsërit ftesën për dialog me studentët

0
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur këtë të enjte (5 nëntor) ftesën për dialog drejtuar studentëve dhe pedagogëve, ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë prej 22...