Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Berlin një takim me anëtarët e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian të Bundestagut gjerman.
Gjatë takimit, Hoxha u ndal në progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, të pasqyruar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si dhe prioritetet kryesore të agjendës së reformave dhe zhvillimit.
“Ambicia jonë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, një objektiv tashmë i reflektuar edhe në udhërrëfyesin e Komisionit Evropian, është ambicioze por e arritshme. Ajo mbështetet në vendosmërinë tonë për të punuar fort, për të çuar përpara reformat e nevojshme dhe për të përmbushur çdo standard që kërkon anëtarësimi. Në të njëjtën kohë, jemi plotësisht të vetëdijshëm për sfidat që mbeten, mësimet që duhet të nxjerrim prej tyre dhe punën e konsiderueshme që kemi ende përpara”, deklaroi Hoxha.
Ministri theksoi se “Shqipëria e sotme është thellësisht e ndryshme nga vendi që nisi këtë rrugëtim evropian”.
“Drejtimi ynë është përcaktuar prej kohësh, zgjedhja jonë strategjike është e pakthyeshme dhe destinacioni ynë është i qartë.
Po aq e qartë është edhe vendosmëria jonë për të bërë gjithçka që duhet për të merituar vendin që i takon Shqipërisë në tryezën evropiane. Nuk kërkojmë rrugë të shkurtra dhe as favore. Kërkojmë të gjykohemi mbi meritën, reformat dhe rezultatet tona”, tha Hoxha.
Për Ministrin e Jashtëm, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk ka të bëjë vetëm me atë që Shqipëria fiton nga Evropa.
“Ka të bëjë po aq edhe me atë që Shqipëria i sjell Evropës: siguri dhe stabilitet, përafrim të plotë strategjik, një bindje të palëkundur evropiane dhe një vend të gatshëm të marrë përgjegjësitë e tij si një shtet i ardhshëm anëtar.” Ministri i Jashtëm nënvizoi se gjatë gjithë këtij rrugëtimi, mbështetja, angazhimi dhe besimi i Gjermanisë kanë qenë e mbeten të çmuara për ne. “Faleminderit Kryetarit Hofreiter dhe të gjithë anëtarëve të Komisionit për mikpritjen e ngrohtë dhe kontributin në një diskutim përmbajtësor. Ne e dimë se ku po shkojmë. E dimë se çfarë mbetet për t’u bërë. Dhe jemi të vendosur të arrijmë deri në fund.”, transmeton rtsh.










