Shoqata “Topanica” ka njoftuar se më 1 shkurt 2026, duke filluar nga ora 14:00, do të mbajë Kuvendin e saj të 10-të në qytetin e Cyrihut, Zvicër. Takimi do të zhvillohet në ambientet e Objekti Multinet GmbH, Sieverdstrasse 95, 8050 Zürich.
Ky kuvend përbën një moment të rëndësishëm për shoqatën dhe anëtarësinë e saj, pasi përveç diskutimit të çështjeve statutare, ai synon të shërbejë edhe si një takim bashkëatdhetarësh, duke krijuar hapësirë për komunikim dhe bashkëbisedim joformal mes anëtarëve.

Sipas rendit të ditës, në pjesën e parë të kuvendit do të trajtohen pikat kryesore si: hapja zyrtare e kuvendit nga kryetari, miratimi i procesverbalit të kuvendit të kaluar, raporti i aktiviteteve për vitin 2024/25, raporti financiar vjetor, raporti i verifikuesit të financave, projektet e ardhshme, kërkesat e anëtarëve si dhe çështje të ndryshme.
Pjesa e dytë e kuvendit do t’i kushtohet procedurave zgjedhore, përfshirë caktimin e moderatorit, zgjedhjen e personit për numërimin e votave, procesin e votimit dhe në fund fjalimin përshëndetës të kryetarit të ri të shoqatës.
Kryesia e Shoqatës “Topanica” ka ftuar të gjithë anëtarët që të marrin pjesë aktivisht në këtë kuvend, duke theksuar rëndësinë e angazhimit dhe kontributit të secilit në mbarëvajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të shoqatës, transmeton helveticALforum.ch




