POSTIMET E FUNDIT

Pas një përfaqësimi të jashtëzakonshëm në Festivalin “Lahuta 35”, Ansambli “Trojet” kthehet në Zvicër me krenarinë e një misioni të përmbushur

Përgatiti Dashnim HEBIBI


Sipas burimeve të HelveticALForum.ch, delegacioni i Ansamblit Shqiptar “Trojet”, me seli në Winterthur të Zvicrës, do të niset sot nga Detroiti për t’u kthyer në Zvicër, pas një qëndrimi dhjetëditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Festivalin e njohur kulturor shqiptar “Lahuta 35”. Sipas të njëjtave burime, delegacioni pritet të niset rreth orës 16:00 sipas kohës lokale amerikane, ndërsa në orët e para të mëngjesit të së hënës ( 10-00 – 11.00), sipas kohës evropiane, do të mbërrijë në Aeroportin e Cyrihut, ku do të ribashkohet me familjet e tyre pas një udhëtimi që do të mbetet gjatë në kujtesën e secilit pjesëmarrës. Gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit në SHBA, anëtarët e Ansamblit “Trojet” vizituan fillimisht New York-un, ndërsa më pas qëndruan në Detroit, ku u zhvilluan aktivitetet kryesore të Festivalit “Lahuta 35”. Ky manifestim kulturor mblodhi shqiptarë nga shumë shtete të botës, duke u shndërruar në një festë të madhe të identitetit kombëtar, të folklorit dhe të kulturës shqiptare.

Në një prononcim për HelveticALForum.ch, kryetari i Ansamblit “Trojet”, Zeqë Gashi, foli me emocione për përvojën e përjetuar në Amerikë.

“Kemi kaluar jashtëzakonisht mirë dhe u jemi mirënjohës të gjithëve për mikpritjen. Na duhet një libër për ta përshkruar gjithë atë ngrohtësi, dashamirësi dhe respekt që përjetuam gjatë qëndrimit tonë në SHBA.”

Screenshot

Ai theksoi se diaspora shqiptare në Amerikë vazhdon të jetë një shembull frymëzues i ruajtjes së identitetit kombëtar.

“Lum ne që kemi një diasporë kaq të fuqishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky festival nuk ishte vetëm një aktivitet artistik. Ai na bashkoi edhe më shumë si shqiptarë dhe na forcoi bindjen se duhet të vazhdojmë të ruajmë gjuhën shqipe, kulturën, vallet, këngët dhe traditat tona kombëtare, që ato t’u trashëgohen brezave të rinj.”

Pjesëmarrja e Ansamblit “Trojet” u vlerësua nga shumë bashkatdhetarë, pasi ansambli prezantoi me dinjitet kulturën shqiptare dhe dëshmoi nivel të lartë artistik, rezultat i punës shumëvjeçare që zhvillohet në Winterthur me të rinjtë shqiptarë. Ky udhëtim nuk ishte vetëm një pjesëmarrje në festival. Ishte një takim i madh i shqiptarëve nga kontinente të ndryshme, të cilët, përmes këngës, valleve dhe kostumeve tradicionale, dëshmuan se identiteti shqiptar mbetet i gjallë kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. Një vlerë e veçantë e këtij udhëtimi është fakti se pjesëmarrësit e Ansamblit “Trojet” përballuan vetë shpenzimet e tyre. Ata investuan kohën, mundin dhe mjetet personale vetëm për një ideal: përfaqësimin e denjë të kulturës shqiptare. Ky përkushtim meriton respekt dhe mirënjohje, sepse dëshmon se puna e shoqatave dhe ansambleve shqiptare në diasporë mbështetet kryesisht në vullnetarizëm, dashuri për kombin dhe angazhim të palodhur.

Pikërisht për këtë arsye shtrohet nevoja që institucionet shqiptare, kudo në hapësirën kombëtare, të jenë më pranë këtyre ansambleve e shoqatave. Mbështetja nuk duhet të kufizohet vetëm në fjalë përgëzuese, por të shoqërohet edhe me politika konkrete për kulturën shqiptare në diasporë.

Do të ishte një vlerësim simbolik, por domethënës, që shtetet tona të mbështesnin delegacionet kulturore gjatë pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare, qoftë edhe me organizimin e një pritjeje, dreke apo darke zyrtare, në veshjet kombëtare, por pse jo edhe për udhëtimet të përkujdesen. Këto gjeste do të ishin një shprehje respekti për ata që përfaqësojnë kombin me dinjitet larg vendlindjes.

Po aq e rëndësishme mbetet ideja për krijimin e një Qendre Kulturore Shqiptare në diasporë, një hapësirë e përbashkët ku ansamblet, shoqatat kulturore, artistët dhe veprimtarët shqiptarë të kenë mundësi të organizojnë aktivitetet e tyre, të ruajnë trashëgiminë kulturore dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe më kryesore të drejtohet nga atdhetarë të dëshmuar që kontribuan e kontribuojnë për të mirën e ruajtjes së vlerave tona e jo anonimusa.

Teksa delegacioni i Ansamblit “Trojet” merr rrugën e kthimit drejt Zvicrës, ai sjell me vete jo vetëm kujtime të bukura nga Amerika, por edhe një mesazh të fuqishëm: kultura shqiptare vazhdon të jetojë falë përkushtimit të njerëzve që punojnë pa u kursyer për gjuhën, traditën dhe identitetin kombëtar. Kthimi i tyre në Winterthur shënon fundin e një udhëtimi të suksesshëm, por jo fundin e misionit. Përkundrazi, ai është një motivim i ri për të vazhduar punën me brezat e rinj shqiptarë në Zvicër dhe për ta çuar edhe më tej emrin e kulturës shqiptare në skenat ndërkombëtare.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB