POSTIMET E FUNDIT

Shqiptarët protestojnë në Zarë të Kroacisë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së – kërkojnë drejtësi në Hagë

Dhjetëra shqiptarë janë mbledhur në Zarë të Kroacisë për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar drejtësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, i cili tha se tubimi u organizua për të kundërshtuar, sipas tij, padrejtësitë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“E kemi këtë protestë në Zarë, për padrejtësitë, liri për çlirimtarët, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit”, deklaroi Gucati.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit brohoritën vazhdimisht “UÇK”, ndërsa mbanin flamuj kuqezi dhe pankarta në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Protesta u organizua nga Shoqata e Shqiptarëve të Prefekturës së Zarës, në bashkëpunim me Unionin e Shqiptarëve në Kroaci dhe me iniciativën e Sami Gashit.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kishte njoftuar më herët se e mbështet këtë organizim, duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve të marrin pjesë për të shprehur solidaritet me ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Ky tubim vjen pasi trupi gjykues i Dhomave të Specializuara ka caktuar 16 shtatorin, në orën 10:00, si datë për shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas vendimit të trupit gjykues, shpallja e aktgjykimit është shtyrë për shkak të vëllimit të madh të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.

Protesta të ngjashme në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Hagë./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB