
Nga Dashnim HEBIBI
Cyrih, 06 korrik 2026 – Pas dhjetë ditësh aktivitetesh në New York dhe Detroit, Ansambli “Trojet” u rikthye në Zvicër, ku u prit me emocione nga familjarë e miq. Kryetari Zeqë Gashi falënderoi anëtarët, prindërit dhe të gjithë ata që mbështesin misionin kulturor të ansamblit. Rreth orës 10:00 të paradites së sotme, anëtarët e Ansamblit “Trojet” u kthyen në Zvicër pas një turneu të suksesshëm dhjetëditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas disa ditësh qëndrimi në New York dhe më pas në Detroit, ansambli përmbylli një mision të rëndësishëm kulturor, duke përfaqësuar me dinjitet kulturën, traditën dhe identitetin shqiptar para bashkatdhetarëve në diasporë.
Në festivalin e madh shqiptar të zhvilluar në Detroit, Ansambli “Trojet” u prezantua me një program artistik të pasur, duke interpretuar valle dhe këngë tradicionale shqiptare, të cilat u pritën me duartrokitje të gjata dhe vlerësime nga publiku. Gjatë gjithë qëndrimit në SHBA, anëtarët e ansamblit zhvilluan takime me shumë bashkatdhetarë, miq dhe veprimtarë të komunitetit shqiptar, ndërsa aktivitetet e tyre u pasqyruan vazhdimisht nga HelveticALForum.ch. Momenti i kthimit ishte mjaft emocionues. Në aeroport, familjarë, prindër, miq dhe dashamirës të ansamblit kishin dalë për t’i pritur me lule dhe dhurata simbolike, duke i uruar mirëseardhjen pas një udhëtimi që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre. Përqafimet, buzëqeshjet dhe emocionet dëshmuan krenarinë për suksesin e arritur.

Mes emocioneve, kryetari i Ansamblit “Trojet”, Zeqë Gashi, i shoqëruar nga bashkëshortja, vajzat, dhëndrri, djali dhe reja e tij, falënderoi mediat për mbështetjen e vazhdueshme dhe prindërit që kishin ardhur për t’i pritur.
“Ju falënderojmë për përkrahjen mediale gjatë gjithë kësaj periudhe. Falënderoj gjithashtu të gjithë prindërit dhe familjarët që na kanë pritur sot. Mbështetja e tyre është forca jonë,” tha ai.
Duke folur për atmosferën që mbizotëron në ansambël, Gashi theksoi se lidhja mes anëtarëve shkon përtej aktivitetit artistik.

“Ansambli ‘Trojet’ është një familje. Ne jetojmë dhe punojmë si një familje e madhe. Në Amerikë kaluam jashtëzakonisht mirë dhe besoj se e përfaqësuam ansamblin dhe kulturën shqiptare në mënyrën më të mirë. Falënderojmë organizatorët që na mundësuan të jemi pjesë e atij spektakli të madh,” u shpreh ai. Ai falënderoi të gjithë anëtarët që morën pjesë në këtë rrugëtim, duke vlerësuar angazhimin dhe disiplinën e tyre.
“Jam krenar me secilin prej tyre. Ishin të përkushtuar dhe dhanë maksimumin. Shpresoj që në aktivitetet e ardhshme të kemi mundësi të marrin pjesë edhe anëtarët e tjerë, sepse ne jemi një ekip dhe çdo sukses është rezultat i punës së përbashkët,” tha Gashi.
Në fjalën e tij, ai ngriti edhe çështjen e sfidave financiare me të cilat përballet ansambli, duke theksuar se pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare realizohet kryesisht falë sakrificës së vetë anëtarëve dhe prindërve.
“Ftesat nuk mungojnë. Kemi edhe oferta të tjera për pjesëmarrje në manifestime të rëndësishme, por realiteti është se shumica e shpenzimeve mbulohen nga xhepi personal. Për këtë arsye falënderoj me gjithë zemër prindërit dhe anëtarët, të cilët me përkushtimin dhe sakrificën e tyre po mbajnë gjallë Ansamblin ‘Trojet’,” theksoi ai.

Një moment të veçantë në këtë vizitë zuri edhe promovimi i numrit themeltar të revistës “Trojet”, e cila tashmë është bërë pjesë e bibliotekave të shumë familjeve shqiptare në Amerikë. Revista u dhurua gjithashtu në Konsullatën e Republikës së Kosovës dhe në Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”, duke shërbyer si një dëshmi e punës dhe historisë së ansamblit. Turneu në Shtetet e Bashkuara u vlerësua si një nga paraqitjet më të rëndësishme ndërkombëtare të Ansamblit “Trojet”, duke forcuar edhe më shumë lidhjet me diasporën shqiptare dhe duke dëshmuar se kultura shqiptare vazhdon të bashkojë shqiptarët kudo në botë. Me kthimin në Zvicër, Ansambli “Trojet” mbyll me sukses një kapitull të rëndësishëm të veprimtarisë së tij, ndërsa tashmë nis përgatitjet për projekte dhe pjesëmarrje të reja në skenat ndërkombëtare.




