POSTIMET E FUNDIT

ANSAMBLI “TROJET” – NJË RRUGËTIM KULTUROR QË BASHKON SHQIPTARËT KUDO QË JETOJNË

Tek ne shqiptarët, mysafiri është i shenjtë dhe shtëpia është e mysafirit. Kjo është një nga virtytet më të lashta të trashëgimisë sonë shpirtërore, një zakon i shenjtë që është përcjellë brez pas brezi dhe që vazhdon të jetojë me të njëjtën madhështi në çdo familje shqiptare, pavarësisht se ku jeton ajo. Mund të kalojnë katërdhjetë, pesëdhjetë apo edhe më shumë vite në një vend të huaj, por traditat, zakonet, gjuha, kënga dhe dashuria për atdheun nuk harrohen kurrë. Përkundrazi, sa më larg trojeve të jetojnë shqiptarët, aq më fort i mbajnë të gjalla rrënjët e tyre, duke ua trashëguar brezave me krenari identitetin kombëtar. Ky ishte edhe një nga mesazhet më të bukura që morëm gjatë misionit kulturor të Ansamblit “TROJET” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në çdo qytet ku ndaluam, në çdo familje që na hapi derën dhe në çdo vatër shqiptare ku u mirëpritëm, ndjemë të njëjtën dashuri të sinqertë për kombin, për flamurin kuqezi dhe për kulturën shqiptare. Ishte një udhëtim që nuk u mat me kilometra, por me emocione, me kujtime dhe me njerëz që e jetojnë Shqipërinë në zemër çdo ditë të jetës së tyre.

Screenshot

Ka momente që nuk mund të përshkruhen lehtë me fjalë. Ka mikpritje që nuk maten me sofrën e shtruar, por me zemrën e hapur të njerëzve. Ka takime që mbeten përgjithmonë në kujtesë, sepse në to gjen historinë, sakrificën, krenarinë dhe shpirtin shqiptar. Pikërisht një përjetim i tillë ishte vizita jonë në familjen Junçaj, një familje që e ka kthyer jetën e saj në shërbim të historisë dhe identitetit kombëtar. Edhe pse zemra ende na vlon nga emocionet e atyre ditëve, po përpiqemi të përmbledhim me disa rreshta një pjesë të vogël të asaj që përjetuam. Është e vështirë të përshkruash me fjalë respektin, dashurinë dhe bujarinë me të cilën u prit Ansambli “TROJET”. Ishte një mikpritje që na bëri të ndiheshim sikur nuk ishim mijëra kilometra larg trojeve tona, por në mesin e vëllezërve e motrave që ruajnë me fanatizëm çdo vlerë shqiptare. Ajo që pamë dhe përjetuam na bindi edhe njëherë se historia nuk ruhet vetëm në libra. Ajo jeton në njerëzit që e mbajnë gjallë, në familjet që sakrifikojnë për të, në muze që ndërtohen me mund e dashuri dhe në çdo shqiptar që nuk lejon të shuhet kujtesa kombëtare. Një nga këto familje është familja Junçaj, e cila me përkushtim të jashtëzakonshëm ka ngritur një tempull të vërtetë të historisë shqiptare në zemër të Amerikës.

NË SHTËPINË KU JETON HISTORIA DHE FLET SHQIP SHPIRTI I KOMBIT

Një nga vizitat më të veçanta gjatë misionit kulturor të Ansamblit “TROJET” në Shtetet e Bashkuara ishte qëndrimi në shtëpinë muze të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Anton Mark Junçaj, udhëheqës i Shoqatës Kulturo Artistike “Rapsha” në mërgatë.

Kjo nuk është thjesht një shtëpi. Është një muze i ngritur me dashuri, përkushtim dhe respekt të jashtëzakonshëm për historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar. Çdo dhomë, çdo mur dhe çdo objekt ruan kujtime të çmuara dhe dëshmon për rrugëtimin e familjes Junçaj, por edhe për historinë e kombit tonë.

Anton Junçaj është bir i Hotit të Malësisë së Madhe, pasardhës i Çun Mulës dhe Ded Gjo Lulit, malsor krenar që gjithë jetën ia ka kushtuar ruajtjes së identitetit kombëtar, kulturës shqiptare dhe bashkimit shpirtëror të shqiptarëve, kudo që jetojnë.

Historia e tij është histori sakrifice, qëndrese dhe dinjiteti.

Më 28 prill 1999, gjatë luftës në Kosovë, forcat ushtarake serbe rrethuan shtëpinë e familjes së tij në Shipshanik. Gjatë bombardimeve ai mbeti i plagosur, ndërsa nëna e tij u vra para syve të tij. Familja Junçaj ishte e vetmja familje shqiptare nga Malësia e Madhe që dha një viktimë në atë luftë. Kjo plagë mbetet pjesë e kujtesës së tij dhe e historisë sonë kombëtare.

Screenshot

Brenda muzeut të tij ruhen me fanatizëm lahuta, çiftelia, sharkia, kostume kombëtare, libra, dokumente, fotografi, flamuj dhe qindra objekte me vlerë historike. Çdo kënd flet shqip dhe çdo objekt mban gjallë kujtesën e brezave.

Vizita jonë u shndërrua në një festë të vërtetë të kulturës shqiptare.

Lahutari ynë Baca Shaqë interpretoi këngë kushtuar legjendave dhe miteve të Malësisë, duke i dhënë muzeut jehonën madhështore të lahutës shqiptare. U interpretuan këngë me sharki e çifteli, u këndua në grup, ndërsa solistja Marisa Murtezi interpretoi me shumë emocion këngën “Malsori”. Një interpretim të bukur me çifteli sollën edhe Donjeta dhe Leotrim Gashi, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe emocione të veçanta për të gjithë të pranishmit.

Screenshot

Për ne ishte një kënaqësi e veçantë që bibliotekës dhe muzeut të familjes Junçaj t’i dhuronim disa ekzemplarë të revistës së Ansamblit “TROJET”, si një kujtim dhe dëshmi e misionit tonë kulturor në diasporë. Nga ana tjetër, miku ynë Anton Junçaj na dhuroi tre libra me vlerë, të cilët do të pasurojnë bibliotekën e Ansamblit “TROJET” dhe do të mbeten një kujtim i çmuar i kësaj vizite.

Në këtë vizitë na nderuan me praninë e tyre artistja dhe koreografja Joli Agolli Paparisto, e cila gjatë gjithë qëndrimit tonë në Amerikë na qëndroi pranë me përkushtim e dashamirësi, si dhe gazetari i TVSH-së, Arben Tafili, i cili e përcolli këtë takim me interes të veçantë për publikun shqiptar.

Mbrëmja vazhdoi me një pritje vëllazërore të organizuar nga miku ynë Anton Junçaj në restorantin “Sofra e Malsorit”, ku grupi artistik i Ansamblit “TROJET” u mirëprit me shumë respekt, ngrohtësi dhe dashuri nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë e veprojnë në Michigan.

Sofra shqiptare u shndërrua në një mbrëmje të paharrueshme. Lahutari ynë Baca Shaqë interpretoi këngë kreshnike, ndërsa grupi artistik solli këngë kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, këngë për atdheun, këngë popullore nga të gjitha trevat shqiptare dhe serenata që bashkuan zërat e të gjithë të pranishmëve. Ishte një mbrëmje ku arti, historia, tradita dhe dashuria për atdheun u bënë një.

Kjo ditë, që nisi në muzeun e familjes Junçaj, vazhdoi në sofrën e miqësisë shqiptare dhe përfundoi në atmosferën madhështore të Festivalit Shqiptar në Detroit, do të mbetet një nga kujtimet më të bukura të rrugëtimit tonë në Amerikë.

Në emër të Ansamblit “TROJET”, shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për mikun tonë Anton Mark Junçaj dhe familjen e tij, për mikpritjen fisnike, bujarinë, zemrën e madhe shqiptare dhe për kontributin e jashtëzakonshëm që japin në ruajtjen e historisë, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

Falënderime të veçanta për të gjithë bashkatdhetarët tanë në Michigan, për organizatorët e Festivalit “Lahuta”, për meshtarët e Kishës Shqiptare, për udhëheqësin e festivalit, mikun tonë Edvin Hoti, për artisten dhe koreografen Joli Agolli Paparisto, për drejtuesit e shoqatave shqiptare, artistët dhe të gjithë miqtë që na pritën si vëllezër dhe na bënë të ndiheshim sikur ishim në trojet tona.

Këto takime nuk janë vetëm vizita. Janë ura që lidhin shqiptarët në të gjitha trojet dhe në mërgatë. Janë dëshmi se kultura, gjuha, kënga dhe tradita vazhdojnë të na mbajnë të bashkuar, pavarësisht largësive.

Ansambli “TROJET” do të mbetet gjithmonë i përkushtuar në ndërtimin e këtyre urave të miqësisë, bashkëpunimit kulturor dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë kombëtare, sepse vetëm duke e njohur historinë dhe duke e jetuar kulturën tonë, mund t’ua lëmë brezave një identitet të fortë shqiptar.

Faleminderit nga zemra! Zoti i bekoftë të gjithë ata që punojnë me përkushtim për kulturën, historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar. Qoftë gjithmonë i bekuar flamuri ynë kuqezi dhe u trashëgoftë brez pas brezi dashuria për kombin, gjuhën dhe traditat tona.

Ky rrugëtim në Amerikë ishte shumë më tepër se një mision artistik. Ishte një udhëtim zemrash, kujtimesh dhe emocionesh, një dëshmi se shqiptarët, kudo që jetojnë, mbeten të lidhur me njëri-tjetrin përmes gjuhës, kulturës, historisë dhe traditave të trashëguara ndër breza. Çdo takim, çdo këngë, çdo valle dhe çdo shtrëngim duarsh na kujtoi se forca e një kombi nuk matet vetëm me kufijtë e tij gjeografikë, por mbi të gjitha me njerëzit që e mbajnë gjallë shpirtin e tij, pavarësisht largësisë.

Ansambli “TROJET” largohet nga ky udhëtim me zemrën plot mirënjohje dhe krenari. Mirënjohje për të gjithë ata bashkatdhetarë që, me punën, përkushtimin dhe dashurinë e tyre, ruajnë të paprekur identitetin shqiptar në mërgatë, dhe krenari që patëm nderin të ndajmë me ta këngën, vallen, historinë dhe kulturën tonë kombëtare.

Ne besojmë se misioni ynë nuk përfundon me mbylljen e një festivali apo me kthimin në atdhe. Ai vazhdon në çdo takim, në çdo aktivitet kulturor dhe në çdo urë miqësie që ndërtojmë mes shqiptarëve anembanë botës. Kjo është rruga që kemi zgjedhur dhe kjo është përgjegjësia që mbajmë me nder: të ruajmë dhe të përcjellim te brezat vlerat më të mira të kombit tonë.

Edhe njëherë, falënderojmë nga zemra mikun tonë Anton Mark Junçaj dhe familjen e tij, të gjithë organizatorët, bashkëpunëtorët, artistët, miqtë dhe bashkatdhetarët tanë në Michigan, të cilët na pritën me bujari, respekt dhe dashuri të sinqertë shqiptare. Mikpritja e tyre do të mbetet përgjithmonë një nga kujtimet më të çmuara të rrugëtimit tonë. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që jetojnë! Zoti i bekoftë të gjithë ata që punojnë me përkushtim për ruajtjen e historisë, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar! Qoftë përherë i lartësuar flamuri ynë kuqezi dhe u trashëgoftë brez pas brezi dashuria për atdheun, gjuhën, traditat dhe vlerat që na bëjnë një komb të vetëm, kudo në botë, transmeton Komisioni për Inforim i Ansamblit “Trojet”, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB