POSTIMET E FUNDIT

Urim i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” me qendër në Zvicër

Të dashur bashkatdhetarë,

Me rastin e fillimit të pushimeve verore, në emër të Kryesisë dhe të gjithë anëtarëve të Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” me qendër në Zvicër, ju urojmë nga zemra rrugë të mbarë, pushime të këndshme dhe një qëndrim sa më të bukur në vendlindje. Pas një viti të gjatë pune, sakrifice dhe përkushtimi, ju e meritoni të kaloni çaste të lumtura pranë familjeve, miqve dhe të afërmve tuaj. Urojmë që çdo plan që keni menduar për këto pushime të realizohet, çdo dëshirë e mirë t’ju bëhet realitet dhe të ktheheni me kujtime të bukura, shëndet e mbarësi.

Gjatë qëndrimit në atdhe, ta vizitojmë vendlindjen tonë, të mos i harrojmë rrënjët tona dhe të gëzohemi me njerëzit tanë. T’i falënderojmë Zotit për të gjitha të mirat që na ka dhënë dhe për mundësinë që edhe këtë verë të jemi pranë më të dashurve tanë. 

Njëkohësisht, ju bëjmë thirrje që zemrën ta mbajmë gjithmonë aty ku duhet – pranë atyre që kanë nevojë.

Le t’i bëjmë gëzimet tona në atdhe me dinjitet e maturi, pa teprime, duke mos harruar se ka shumë familje që jetojnë në kushte të vështira sociale dhe që kanë nevojë për dorën tonë të solidaritetit. Le të ndajmë nga të mirat që na ka falur Zoti me ata që kanë më pak, sepse ndihma ndaj njëri-tjetrit është virtyt, ndërsa shpërblimi tek Zoti është gjithmonë i madh. Solidariteti, humanizmi dhe kujdesi për njëri-tjetrin janë vlerat që na bëjnë më të fortë si komb dhe si shoqëri. Për ata që udhëtojnë me automjete, urojmë që rruga t’ju kalojë pa pengesa e pa vështirësi. Udhëtoni me kujdes, respektoni rregullat e komunikacionit dhe kthehuni shëndoshë e mirë pranë familjeve tuaja. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Ju urojmë pushime të mbara, gëzim, paqe, shëndet dhe mbarësi kudo që të ndodheni.

Me respekt,

PhD. Dashnim Hebibi, kryetar në emër të Kryesisë së Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”
me qendër në Zvicër

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB