-0.6 C
Zurich
Friday, November 28, 2025
spot_img
spot_img

Festë madhështore në NY: Shoqata “Skënderbej” kremton Ditën e Flamurit

Duhet ti lexosh

Nga Luljeta Xhediku

Nën një atmosferë të shkëlqyer festive, shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi 113-vjetorin e Pavarësisë. Siç dihet nga çdo shqiptar i madh e i vogël, festa më e çmuar e më e shtrenjtë, sidomos për shqiptarët që jetojnë larg Shqipërisë fizikisht, por me atdheun amë në zemër, është Pavarësia e atdheut tonë. 113-vite që nga dita ku gjaku i derdhur ndër vite kundër pushtuesit otoman kulmoi me ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali. Në një sallë të zbukuruar me dekor kuqezi, por edhe me veshje kuqezi anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, të ftuar nderi e miq të shoqatës festuan këtë festë madhështore për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Moderatorja e programit znj. Alketa Veshi i ftoi të pranishmit për ekzekutimin e dy himneve atij amerikan e shqiptar.

Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc, z. Imer Laçaj, i cili duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe duke u uruar festën foli për rrjedhën historike të Shqipërisë “Historia na dëshmon se flamuri kuqezi me shqiponjën dykrenare u ngrit për herë të parë nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, më 28 Nëntor 1443. Ai së bashku me ushtarët e tij çliroi Krujën dhe ngriti flamurin ne kalanë e qytetit. Megjithatë, pas vdekjes së tij, Arbëria qëndroi 500 vjet e pushtuar. Pas pothuajse pesë shekujve të sundimit osman, historia nxori në skenë patriotin dhe diplomatin e shquar shqiptar, Ismail Qemalin. Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë ai ngriti përsëri flamurin kuqezi duke shpallur “Shqipërinë të lirë e të pavarur duke i dhënë fund sundimit osman njëherë e përgjithmonë dhe vënë themelet e ndërtimit të shtetit të pavarur shqiptar”.

Më pas fjalën e mori Dr. Pashko Camaj, sekretar i konfederatës panshqiptare “Vatra” i cili u shpreh: “Është nder dhe krenari të jem sot së bashku me ju të festojmë këtë ditë të madhe e të shenjtë ditën e Pavarësisë, ditën e Flamurit tonë kombëtar dhe ju përgëzoj në emër të konfederatës panshqiptare “Vatra”, kryesisë së saj dhe në emër të gjithë vatranëve, përgëzojmë kryetar Imer Laçaj për punën që ka bërë në këtë shoqatë të mrekullueshme “Skënderbej” për ruajtjen e vlerave tona kombëtare”. Gjithashtu, Dr. Camaj tha që duhet të vazhdojmë t’i ruajmë vlerat tona kombëtare që të japim një kontribut dhe të lëmë gjurmë për ata që vijnë pas nesh”.

Në vijim, fjalën e mori kryeredaktori i gazetës “Dielli” që është gazeta më e madhe shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Sokol Paja. Në fjalën e tij përshëndetëse z. Paja u shpreh: “Në emër të gazetës ‘Dielli’, por edhe në emër të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” ju përgëzoj për këtë organizim të shkëlqyer dhe qofshi të nderuar e të bekuar për jetë e mot që nderoni dhe lartësoni ditën më të shenjtë të kombit tonë daljen nga skllavëria pesëshekullore në liri. Sot ne përkujtojmë dhe nderojmë me nderim të veçantë diplomacinë dhe urtësinë e Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Lef Nosit e shumë e shumë patriotëve të tjerë që bënë gjithçka në shërbim të bashkimit kombëtar dhe që nga ajo kohë kjo ditë ka ngelur më e rëndësishmja dhe më e shënuara ne historinë e kombit shqiptar”. Zoti Paja gjithashtu përgëzoi edhe shkollën shqipe “Skënderbej” veçanërisht mësuese Adelina Laçaj dhe stafin e saj.

Profesori Musa Limani i Universitetit të Prishtinës, i cili ka dhënë mësim në Fakultetin e Ekonomisë dhe ka bërë disa studime në Universitetin e Zagrebit përshëndeti të pranishmit gjithashtu dhe ju uroi gëzuar festën e Pavarësisë.

Znj. Drita Gjongecaj është anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare si dhe një aktiviste e shquar e komunitetit shqiptar në SHBA dhe veçanërisht në NY. Në vitin 2014 znj. Gjongecaj ka themeluar shkollën shqipe “Fëmijët e Shqiponjës” ose AADLC pjesë e një grupi pune që kanë arritur të bëjnë gjuhën shqipe, gjuhë të dytë në një nga shkollat e Bronxit. Znj. Gjongecaj theksoi “është kënaqësi të jesh mes jush sot ndërsa festojmë 113-vjetorin e Pavarësisë. Nëntori për ne është një muaj i veçantë është muaji ku historia flet më fort, sepse në të janë gdhendur momentet që na bashkuan si komb. Ky flamur kuqezi është zemra jonë kolektive një simbol që na bashkon me Shqipërinë në Kosovë e kudo në vendet shqiptare e në diasporë. Po më 22 nëntor 1910 u konsolidua alfabeti i gjuhës shqipe, në këtë datë ne festojmë Ditën e Alfabetit që është themeli i gjuhës sonë të përbashkët në këtë datë të vitit 1908 Kongresi i Manastirit u dha shqiptarëve alfabet të njehsuar dhe na mësoi se dhe në kohë të vështira e dimë që kemi gjuhën tonë për të qenë të bashkuar, por nëntori ka dhe një festë tjetër që e kremtojmë në Shtetet e Bashkuara është festa e Falënderimeve. Dua të ndaj pse jemi veçanërisht mirënjohës sot. Në emrin e anëtarëve të shoqatës dygjuhësore dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle” dua të shpreh mirënjohjen për faktin që te shoqata “Skënderbej” kemi gjetur një partner që janë edhe miq duke na dhënë hapësirë, bashkëpunim dhe zemër.

Programi arriti kulmin kur grupi artistik “Skënderbej” me pjesëmarrjen e veçantë të balerinit të mirënjohur shqiptar, Klevis Tafaj, interpretuan një kolazh të zgjedhur me kërcime nga treva të ndryshme të atdheut tonë. Ata qëndisën, ngritën e valëvitën flamurin tonë shqiptar. Për këtë performancë grupi artistik “Skënderbej” u përgatit për ditë me radhë nga dy mësueset e shkollës shqipe “Skënderbej” Adelina Laçaj e Gela Bulku. Nxënësi Kelvin Rustani recitoi vargje të zgjedhura nga poema “Bagëti e Bujqësi”. Festa vazhdoi nën tingujt e bukur të muzikës shqipe e nën trokitjen e gotave të verës. Shoqata shqiptaro-amerikane ju uron: Gëzuar 28 Nëntorin e qofshin gjithmonë të bekuar e të lirë shqiptarët kudo që ndodhen. /Gdielli

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit