/ Nga: Arben S. MEHMETI, Zvicër /
( FJALA E LIRË)
Po largohem !
Jo pse dua, por pse më detyrove!
Po iki prej tokës që më rriti, më mësoi me dashtë, me ëndërru, me shpresu – por nuk më dha mundësinë me i realizu ato ëndrra.
Preshevë e ime, e dashtun e e dhimbshme, sa herë kam prit që ti me ndryshu, me u ba vend i mundësive e jo i padrejtësive, vend i punës e jo i lidhjeve, vend i meritës e jo i miqësive. Kam prit, duru, shpresu… derisa shpresa m’u ba plagë.
Po iki!
Se nuk du me qenë pjesë e turpit, nuk du me qenë pjesë e korrupsionit, nuk du me qenë veç ni numër i mijëra të papunëve. Nuk du më me besu politikanëve me premtimet e rreme për punësim, njohjen e diplomave, infrastrukturën, e adresat e pasivizuara. Nuk du me u shit për ni vend pune, nuk du me punu 30 ditë për 100 euro. Nuk du me mbaru fakultetin e me shit n’pazar, e as me lyp buken trotuar.
S’kam kohë me i prit manovrimet e pazarlleqet e liderëve, që për çdo dy a katër vjet veç për karrige mendojnë.
Më fal Preshevë, toka jem, që n’lulen e rinisë po iki. Lamtumirë dhe mirupafshim!
E di që nuk jam i pari që largohet, por çdo ikje është një humbje – për ty, për ne, për të ardhmen tonë.
Kam dashtë me e ndërtu jetën këtu. Me kontribu, me qëndru afër familjes, me jetu me dinjitet. Por më mësove që këtu s’mjafton me qenë i ditur, i ndershëm e punëtor. Më mësove që ëndrrat këtu kanë afat skadimi.
Po largohem me zemrën e rënduar, por me kokën lart !
Sepse kam ba gjithçka që kam mujt – kam mësu, kam punu, kam duru. Tash osht koha me mendu për të ardhmen, larg teje, ndoshta për herë të fundit.
Kjo nuk është urrejtje.
Është zhgënjim.
E zhgënjimi është forma e dashnisë që s’ka gjetë kthim.
Lamtumirë, Preshevë!
Ti që më dhe emrin, por s’mujte me më dhanë të ardhmen.
Ti që më mësove me dashtë tokën,
por ma shkele mundësinë me ecë mbi të me dinjitet.
Po shkoj… me ni valixhe shprese, e ni zemër që dhemb për ty, më shumë se për veten.
Unë, biri yt i lodhur… por përherë i yti.
ARBENI
(Foto ilustrim)