Gjenevë – Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Ermal Dredha, mori pjesë gjatë fundjavës në mbrëmjen kulturore “Vallja na Bashkon”, e organizuar në Gjenevë nga Shoqata “Rinia Contact” në bashkëpunim me Swiss Albania Event, përcjell helveticALForum.ch. Aktiviteti mblodhi pjesëtarë të komunitetit shqiptar në diasporë dhe solli një program të pasur artistik me pjesëmarrjen e Grupit nga Kruja, SHKA “Agimi” nga Prizreni, si dhe artistëve të njohur të skenës shqiptare.

Mbrëmja u karakterizua nga valle tradicionale, muzikë dhe performanca artistike që përcollën emocione, traditë dhe identitet kombëtar. Organizatorët theksuan rëndësinë e ruajtjes së kulturës shqiptare dhe forcimit të lidhjeve mes shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve.
Ambasadori Dredha vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti kulturor, duke theksuar rolin e rëndësishëm që kanë ngjarje të tilla në promovimin e vlerave kombëtare dhe në afrimin e komunitetit shqiptar në diasporë.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër ka shprehur mbështetjen për iniciativa të këtij lloji, të cilat kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe promovimin e unitetit ndërmjet shqiptarëve në mbarë botën njofton Ambasada Shqiptare në Zvicër, përcjell helveticALForum.ch.




