POSTIMET E FUNDIT

Vigan Berisha pranë sportistëve shqiptarë në jubileun e FC Albania Zürich

Cyrih, 21 qershor 2026 – Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, mori pjesë këtë të diel në një aktivitet të rëndësishëm sportiv dhe festiv të komunitetit shqiptar në Zvicër. Edhe pse temperaturat në Cyrih arritën deri në 34 gradë Celsius, ai ishte pranë sportistëve dhe dashamirëve të futbollit për të nderuar punën dhe angazhimin e tyre ndër vite. Siç mëson HelveticALForum.ch, z. Berisha shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në ndeshjen e kampionatit ndërmjet dy klubeve shqiptare, FC Albania Zürich dhe FC Kosova 2, si dhe në festimet e organizuara me rastin e 15-vjetorit të themelimit të FC Albania Zürich.

Në mesazhin e tij, ai u shpreh:

“Këtë të diel, patëm kënaqësinë të marrim pjesë në ndeshjen e kampionatit ndërmjet dy klubeve shqiptare, FC Albania Zürich dhe FC Kosova 2, si dhe në aktivitetin festiv të organizuar me rastin e 15-vjetorit të themelimit të FC Albania Zürich. Ky jubile përbën një moment të veçantë për të vlerësuar rrugëtimin, sukseset sportive dhe kontributin e rëndësishëm që klubi ka dhënë ndër vite në promovimin e sportit dhe në forcimin e lidhjeve të mërgatës sonë në Zvicër. Shprehim urimet tona më të sinqerta për FC Albania Zürich me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, si dhe përgëzimet për të dy klubet për përkushtimin e tyre në zhvillimin e futbollit dhe promovimin e vlerave të bashkimit, respektit dhe solidaritetit në mërgatën shqiptare. Ju urojmë suksese të vazhdueshme dhe shumë arritje të reja në vitet në vijim.”

Pjesëmarrja e shefit të misionit në këtë aktivitet u vlerësua nga të pranishmit si një mbështetje e rëndësishme për sportin shqiptar në mërgatë. Jubileu i 15-vjetorit të FC Albania Zürich shërbeu si një rast për të kujtuar sukseset e klubit dhe për të theksuar rolin që sporti luan në afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve në Zvicër. Manifestimi u zhvillua në një atmosferë festive, me pjesëmarrjen e sportistëve, drejtuesve të klubeve, familjarëve dhe shumë bashkatdhetarëve, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë që kanë klubet sportive shqiptare në ruajtjen e identitetit dhe forcimin e lidhjeve brenda komunitetit shqiptar në Zvicër, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB