
Nga Besnik HEBIBI
Nga rrugët e mbushura me vetura te çmimi që rëndon buxhetin familjar
Ashtu si në shumë vende të Evropës, edhe në Zvicër çmimet e derivateve kanë pësuar ndryshime dhe kostoja e karburantit vazhdon të jetë një temë që prek drejtpërdrejt buxhetin e qytetarëve. Çmimi aktual i derivateve në Zvicër është ai që shihet në foton e publikuar. Edhe pse kompanitë e mëdha të karburanteve herë pas here ofrojnë zbritje prej rreth 5 rap për litër, për shumë qytetarë çmimi mbetet i lartë. Në pamje të parë, megjithatë, duket sikur kjo rritje nuk po e ndryshon shumë jetën e përditshme. Pompat e derivateve vazhdojnë të jenë të mbushura me vetura, ndërsa rrugët janë plot. Edhe transporti publik është shpesh i stërmbushur. Megjithatë, sistemi zviceran i transportit publik vazhdon të ofrojë kushte shumë të mira për udhëtarët, veçanërisht sa i përket sigurisë, pastërtisë dhe përpikërisë.Gjatë një bashkëbisedimi me disa mërgimtarë shqiptarë në kantonin e Cyrihut, shqetësimi për çmimin e karburantit ishte i dukshëm.
“Dikur nuk e kemi menduar shumë nëse do të merrnim veturën edhe për një shërbim të vogël ditor. Tash duhet ta mendojmë dy herë, sepse çmimi është bërë shumë i lartë. Kur kemi mundësi, përdorim edhe biçikletën”, na thanë ata. Ky ndryshim në sjellje tregon se çmimi i karburantit nuk është thjesht një shifër në tabelën e një pompe. Ai ndikon në mënyrën se si njerëzit planifikojnë ditën, udhëtimet, shpenzimet familjare dhe madje edhe mënyrën e transportit. Në përgjithësi, çmimet janë relativisht të ngjashme nëpër kantone, ndërsa në pikat e karburantit përgjatë autostradave zakonisht janë më të larta. Për këtë arsye, për ata që duan të kursejnë disa franga, këshilla është e thjeshtë: nëse keni mundësi, furnizohuni në qytete ose fshatra dhe shmangni pikat e karburantit në autostrada.
Pyetja që mbetet është: deri kur do të vazhdojnë këto çmime?
Askush nuk mund ta thotë me siguri. Ajo që dihet është se çdo rritje e çmimit të karburantit, sado e vogël të duket në një litër, në fund të muajit përkthehet në shpenzime shtesë për familjet. Zvicra mbetet një vend me standard të lartë jetese, paga të larta dhe një sistem transporti publik ndër më të mirët. Por edhe në këtë realitet, qytetari e ndien kur çmimi i karburantit rritet. Sepse në fund të fundit, çmimi mund të jetë vetëm disa rap më i lartë për një litër, por kur ato rap mblidhen litër pas litri, kilometër pas kilometri dhe muaj pas muaji, janë pikërisht ato që e zbrazin xhepin e qytetarit.
Foto Adi HEBIBI










