Më 12–14 tetor 2026, në Podgoricë u mbajt Konferenca e 10-të vjetore e Palëve të interesit të shtyllës së shkencës, arsimit, kërkimit dhe inovacionit të Procesit të Berlinit, me temën “Ballkani Perëndimor në Evropë: Njerëzit – Inovacioni – Transformimi”.
Universitetin tonë e përfaqësoi Prorektori për planifikim, hulumtim dhe ndërmarrësi, Prof. Dr. Veland Ramadani, krahas rektorëve, akademikëve dhe ekspertëve nga rajoni dhe Evropa.

Konferenca u organizua nga Akademia Malazeze e Shkencave dhe Arteve, Universiteti i Malit të Zi dhe Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina.
Diskutimet u përqendruan në tri tema:
· transformimin e arsimit të lartë përballë ndryshimeve demografike, tregut të punës dhe inteligjencës artificiale;
· forcimin e ekosistemeve lokale të inovacionit;
· rolin e këshillimit shkencor në modernizimin e shtetit dhe integrimin evropian.
Përfundimet e konferencës do të përfshihen në Deklaratën e Përbashkët për Samitin e Krerëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Mal të Zi më 22 tetor 2026.
Kjo pjesëmarrje dëshmon angazhimin e UEJL-së për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar në arsim, shkencë dhe inovacion, transmeton UEJL, përcjell helveticALforum.ch.










