Financimi i qëndrueshëm, liria akademike dhe vlerat që krijojnë universitetet në shoqëri ishin ndër temat kryesore të Forumit të Asociacionit të Universiteteve Evropiane (EUA), ku Universiteti i Evropës Juglindore u përfaqësua nga drejtuesit e tij.
Delegacioni i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), i udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, së bashku me Këshilltarin e Rektorit, Akademik Abdylmenaf Bexheti, dhe Sekretarin e Përgjithshëm Nebi Xhemali, po merr pjesë në Forumin e EUA-së për Financimin e Universiteteve 2026 (University Funding Forum 2026), që mbahet nga 14-16 tetor 2026, në Universitetin e Teknologjisë në Bërno, në Republikën Çeke,.
Forumi, i organizuar nën moton “Për universitetin e vlerave”, ka mbledhur përfaqësues të më shumë se 450 universiteteve evropiane dhe ofron një platformë të rëndësishme për diskutimin e politikave të financimit të arsimit të lartë, shkëmbimin e përvojave institucionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve evropiane.
Në fokus të diskutimeve janë efikasiteti i financimit universitar, raporti ndërmjet fondeve të investuara dhe vlerave e rezultateve të krijuara nga universitetet, si dhe sfidat e sistemeve kombëtare të financimit të arsimit të lartë. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe ndikimit të mekanizmave të financimit në autonominë institucionale dhe lirinë akademike, përfshirjes së studentëve ndërkombëtarë dhe kontributit të universiteteve në zhvillimin akademik, shkencor dhe shoqëror.
Një nga temat me rëndësi strategjike të Forumit është edhe roli dhe qëndrueshmëria e Aleancave të Universiteteve Evropiane, të mbështetura nga fondet e Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, diskutohet krijimi i vlerave të qëndrueshme përmes bashkëpunimit ndëruniversitar, si dhe perspektiva e vazhdimësisë së këtij projekti madhor evropian. UEJL është pjesë e Aleancës Evropiane të Universiteteve ChallengeEU, përmes së cilës kontribuon në avancimin e bashkëpunimit akademik, digjitalizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
Në kuadër të programit të Forumit, Rektori, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, dhe Akademik Abdylmenaf Bexheti ndoqën sesionin kushtuar qëndrueshmërisë së financimit dhe rëndësisë së sigurimit të fondeve të qëndrueshme për universitetet, veçanërisht në kushtet e pasigurive globale dhe rajonale. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm Nebi Xhemali, mori pjesë në sesionin kushtuar qëndrueshmërisë financiare të universiteteve, me theks në sfidat e menaxhimit financiar dhe perspektivat afatgjata të institucioneve të arsimit të lartë.
Për Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), pjesëmarrja në këtë Forum është një mundësi e rëndësishme për të forcuar pozicionin dhe bashkëpunimin e tij në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, përmes shkëmbimit të përvojave me universitetet partnere dhe diskutimit të modeleve të qëndrueshme të zhvillimit institucional, transmeton UEJL, përcjell helveticALforum.ch.










