
Nga Kemajl Milaim GOCA
Fadil Vokrri mes tre lojtarëve të Dinamos së Zagrebit! Bogdani dhe Z. Zvetkoviqi nuk arritën ta ndalnin qendërsulmuesin e Prishtinës, ndërsa në të djathtë shihet edhe Haxhiqi.
Kjo fotografi u publikua në gazetën “Rilindja” më 1 shtator 1983, një ditë pas fitores së madhe të Prishtinës ndaj Dinamos së Zagrebit.
Ah, kjo gjeneratë!
Në radio Prishtinë jehonte zëri i papërsëritshëm i komentatorit, të madhit Azem Brovina: “Gol, gol, gol, Fadil Vokrri, Vokrri, Vokrri, 3:1 për Prishtinën”.
Kjo ishte më shumë se krenari.
Edhe pas 500 vjetësh, vështirë se do të përsëritet një skuadër e tillë.
Kjo ishte Prishtina që e doja aq shumë.
Kjo ishte Prishtina që kurrë nuk më hiqet nga mendja.
Kjo ishte Prishtina që edhe sot kur e kujtoj ma dridh zemrën.
Kjo ishte Prishtina ma shumë së Prishtinë.
Kjo ishte Prishtina që ma bëri fëmijërinë e lumtur!
Kjo ishte Prishtina e artë!
Sa herë që e shoh këtë fotografi, më ngrihet adrenalina dhe më rikthehen emocionet e atyre ditëve të arta të Prishtinës së famshme.
Prishtinës që shkatërronte me lojë e rezultate klubet e mëdha kroate, serbe, boshnjake, maqedonase, sllovene, Vojvodinës, malazeze.
Edhe kur kundërshtarët e godisnin brenda zonës së 16-metërshit, Fadil Vokrri nuk dinte të rrëzohej lehtë. I kishte këmbët e forta, driblimin magjik dhe një zotësi të jashtëzakonshme për ta mbajtur topin.
Sa herë që e merrte topin, kundërshtarët i kaplonte paniku, sepse e dinin se diçka e veçantë mund të ndodhte në çdo moment.
Eh, kur topat ia dërgonte shoku i tij i ngushtë, Sahit Kelmendi! Ata kuptoheshin me sy, sikur ta dinin paraprakisht se ku do të ishte tjetri.
Prishtina e artë, e papërsëritshme, stadiumi shpërthente si vullkan, herë nga 35 mijë e herë nga 40 mijë shikues!
Vet fotografia dëshmon se kush ishte gjenerata e artë e Prishtinës.
Gjeneratë e pavdekshme.
Gjeneratë që na solli krenarinë.
Gjenerata që i dha shkëlqim Kosovës.
Shpesh 10 shqiptarë në formacionin startues.
Po kjo ishte Prishtina e artë, që bëri miliona shqiptarë krenarë.
Kjo Prishtina e artë, meriton një film me mbi 1000 episode, edhe ato do të janë pak dhe shumë pak.










