/ Ese nga Rudi Berisha, Drejtor dhe redakto i Shtëpisë Botuese “Dardania”
Të jesh njeri i mirë, duhet në shumë raste të bëhesh urë që të tjerët të kalojnë mbi trupin tënd. Të jesh njeri i mirë dhe i qetë, duhet të durosh dhe të përpish shumë gurë, që ata gurë do të përgjakin udhët e tua gjatë përpirjes, por ti duhet të heshtësh, të durosh dhimbjet për hir të vërtetës dhe nderit i të qenurit njeri i mirë.
Si matemi kur themi që jemi njerëz të mirë?
Atëherë kur nuk ia bëjmë të keqen askujt, për nder të miqësisë durojmë gjemba të ashpra, për nder të së vërtetës vuajmë brenda vetes, e ndrydhim shpirtin tonë, e vrasim dhe lëndojmë brendësinë tonë, vetëm e vetëm që të tjerët mos t’i bëjmë as të vuajnë, as të qajnë nga të bëmat e tona.
Rruga që po e themi është vetëm një pjesë e asaj që të bën njeri të mirë. Por, për të qenë njeri i mirë, duhet të bëhesh sikur nuk ta ndien, edhe kur të marrin atë që të takon ty, edhe kur djersën tënde ta rrëmbejnë, të përbuzin dhe ta kafshojnë. Ti për të qenë njeri i mirë, duhet të heqësh dorë nga ajo që ishte e jotja, nga ajo që ke vepruar dhe punuar për vite që ta fitosh atë. Por ti je njeri i mirë dhe për atë, ti duhet të durosh edhe për atë që po të bëjnë. E gjithë kjo sakrificë për të qenë njeri i mirë, a vallë duhet të kalojmë edhe buzë-vdekjes, vetëm e vetëm për të qenë njeri i mirë?
Kush e vlerëson mirësinë tonë?
Në mesin e njerëzve, thuajse askush, ose ka disa njerëz që për pak kohë na vlerësojnë, por për një moment, nëse i preket sedra atyre, na përbuzin, na shajnë, na fyejnë dhe na quajnë njerëzit më të pistë të kësaj bote. Por ku mbeti e gjithë sakrifica dhe mundi ynë, që u munduam të jemi njeri i mirë? E shtrydhim, e ndrydhim edhe ashtin e trupit, shpirtin tonë brenda, duke u munduar të jemi njeri i mirë!
Për të qenë njeri i mirë, duket se duhet të paguash me çmim të lartë. Të durosh dhimbje të mëdha që shpirtin ta therin, të durosh plagë të rënda që ditët të rëndojnë, të durosh dhe të ‘pish’ çdo helm që të ofrohet nga të tjerët – dhe këtë e bën për arsye se je njeri i mirë!
Pse duhet ti t’i durosh të gjitha këto?
Ndershmëria ka çmimin më të lartë në këtë botë. Të ndershëm mund të jenë vetëm ata që nuk kanë ndjenja, ata që nuk frymojnë, ata që janë mbi natyrorë. E Ai është një, i vetëm dhe i pa-shoq, pa miq, pa askënd, sepse Ai është fuqi e vërtetë, Ai është Krijuesi ynë dhe i gjithë ndershmërisë së botës së gjerë. Ne të tjerët mundohemi të jemi të mirë, por sërish bëjmë mëkate, me dashje apo pa dashje, ne bëjmë gabime!
E gjithë ky çmim i madh, këto plagë të rënda që i mbajmë në trup, këto dhimbje që na ngadalësojnë hapin, a ia vlen t’i kemi për të qenë njeri i mirë? Po, sepse në mes dy rrugëve, ne zgjedhim rrugën e drejtë, atë që na afron për tek qëllimet tona, atë që na shpërblen, atë që na nderon. E vetëm duke qenë njeri i mirë, ne do të nderohemi dhe vlerësohemi!
Nuk e fajësojmë veten që jemi njerëz të mirë, por plagët na rëndojnë shumë dhe, në disa raste, na sjellin në vijën e të qenit njeri me bëma jo të mira. Në shumë raste, njeriu i mirë dhe ai që vepron keq, është duke ecur në tehun e shpatës njëkohësisht, e cila, një lëvizje më e vogël të gabuar, trupin ta përgjak, e gjaku i trupit ta bën gropën dhe nga ajo gropë dëgjohet gjëma shumë larg, sa që i trishton edhe zogjtë e malit.
Për t’u bërë njeri i mirë, duhet të mendosh mirë, por nëse mendimet nuk mund t’i kontrollosh, të paktën veprimet i fut në kornizën e kontrollit. Më lehtë është t’i kontrollosh veprimet sesa mendimet e tua. Andaj, për nder të të qenurit njeri i mirë, duhet të durosh edhe plagët dhe fjalët më të rënda të njerëzimit. Por kurrë mos duro që të përbuzin, të poshtërojnë dhe të cenojnë të drejtën për të qenë i lirë, për lirinë tënde. Kështu, mos mbroj idetë e tua me fanatizëm, por mundohu që me fjalë të bukura, me fjalë të zgjedhura dhe me mjeshtëri për t’i bindur, të shtysh idetë e tua përpara. Dobi do të kesh vetëm kur në momentet e duhura i përdor fjalët e duhura!
Kështu që, unë kam zgjedhur të jem njeri i mirë, por do të më bie të eci krejt vetëm në rrugët e gjata të jetës, sepse njeri i mirë mund të jesh vetëm kur jeton në vetmi. Në momentin që rrethohesh me njerëz, nuk mund të jesh gjithmonë një njeri i mirë. Edhe nëse do, dëshiron të jesh njeri i mirë, fjalët dhe rrethanat do të bëjnë që të mos jesh krejt njeri i mirë. Miqësia e mirë do sakrificë të madhe, për miqësi e mirë do të përpish edhe gjembat e egër të lindur nga pema e vjetër.
Sa shumë durojmë për hir të miqësisë?
Një pjesë e madhe e individëve janë vullkan të pa menaxhuar; ata për një fjalë të bëjnë gropën e varrit, ata rrënojnë për një fjalë gjithë ndërtimin e viteve të një miqësie të mirë me ju. Të tillët nuk janë ende të gatshëm për miqësi, sepse janë vetëm një pëlhurë e ‘bardhë’ që, me erën e parë që fryn, ju zbulon fytyrën e vërtetë. Por edhe nëse ne kemi gjykuar në mënyrë të gabuar, ata që janë miqtë e tu të vërtetë, ata të këshillojnë, jo të të akuzojnë dhe të të poshtërojnë në sy të të tjerëve. Kur njeriu nuk është i gatshëm për miqësi të vërtetë, shpërthen në të tilla lojëra, sepse është sipërfaqësor dhe ka probleme me vetveten, jo me miqtë e vërtetë të tij.
Të tillë njerëz i pengon çdo fjalë e miqve të vërtetë, sepse kanë frikë dhe rrojnë me frikë për aftësitë e tyre, edhe pse shohin sukseset e tyre të larta në çdo fushë. Kjo vjen si pasojë e mosbesimit në atë që ka ndërtuar botën, duke mos besuar në krijim. Të tillë njerëz nuk besojnë as në arritjet e tyre, edhe kur ato janë mjaftueshëm të mëdha. Njeriu pa besim është si toka pa ujë; besimi në Krijuesin është ai uji që i duhet shpirtit dhe trupit të njeriut!