/ Rrëfim nga jeta /
Shkruan: Rudi BERISHA /
Fuqia e fjalës së lirë ! helveticALforum
“Më përqeshen kur isha fëmijë, sepse isha i varfër, e kam vuajtur thellë. Ata nuk kuptonin se pas asaj pamjeje, fshihej një botë e tërë me dhimbje dhe lot. Por, megjithatë, nuk doja që askush ta dinte këtë, as familja ime, pasi e ndjeja se as ata nuk mund të ma lehtësonin vuajtjen.”
Që nga vegjëlia isha i përbuzur. Që në bankat e shkollës më përqeshnin dhe më fyenin, me një fjalë, më bullizuan. Për një defekt që kisha në pamjen time, por ata nuk kuptonin plagët dhe dhimbjet e mia. Pavarësisht nga të gjitha këto, shto faktin se isha edhe një fëmijë që vija nga një familje, e varfër, ata zullumin ma shtuan akoma më shumë, duke më distancuar dhe më, fyer. Përqeshnin rrobat e mia, këpucët e mia, që dorën në zemër, sot ato janë në trend, por atëherë ato konsideroheshin si diçka jashtë mode dhe stili dhe talleshin me mua për ato këpuca.
Sa shumë e kam vuajtur këtë pjesë. Gjatë pushimit të gjatë kur isha në shkollë, unë shkoja atje, në fund të oborrit, në qoshen e shkollës dhe mbështetesha për murin, isha i vetëm. Si nuk doli asnjë fëmijë të vijë për të qenë me mua, për të qenë afër meje në ato ditë të rënda? I kaloja ditët shumë i thyer në shpirt, i pikëlluar dhe i mërzitur. Por, kurrë nënës sime nuk ia tregova këtë gjë, nuk i kam treguar kurrë që në shkollë po më fyejnë dhe bullizojnë. Një gjë të tillë e kam mbajtur në vete, e kam vuajtur në heshtje!
Dorën në zemër, jam munduar të jem një çun i fortë dhe një nxënës i mirë, të mësoja sa më shumë, por kam pasur edhe ngritje dhe ulje. Kam pasur një besim të fortë dhe kam qenë i pathyeshëm në atë që dëshiroja. Por në disa raste nga përbuzja tepër, e madhe që ma bënin, ky moral i fortë që kisha me ka rënë në disa raste, sa që në disa momente kam dashur edhe të…
Gjatë rrugës që po kthehesha nga shkolla për në shtëpi, e fajësoja veten, nuk e doja veten për arsye të fjalëve shumë të rënda që mora si fëmijë i vogël. Isha edhe nga shtati i shkurtër, ku edhe për këtë gjë më bullizonin. Kur të tjerët të rëndojnë me fjalë të rënda, ata nuk kuptojnë ndjesinë se si ti, ndjehesh. Ata kurrë nuk kanë mundësi t’i kuptojnë plagët e tua, edhe nëse ndokush del dhe të rrijë afër, ai mund të mundohet të të ngushëllojë, por nuk është ai që e kupton zemrën tënde të plagosur. Edhe pse po kaloja kriza të rënda shpirtërore, gjatë katër viteve sa isha nxënës në atë shkollë, vetëm një ditë kam munguar në shkollë. Kjo është dëshmia që tregon se e kam dashur shkollën dhe i kam dëshiruar mësimet në të.
Kam vuajtur kur isha fëmijë, por edhe sot ndoshta vuaj për ca gjëra, por forca e shpirtit tim është rritur kur isha fëmijë dhe gjatë atyre ditëve të vegjëlisë. Ajo kohë me ka dhënë mësime të mëdha, me ka mësuar se si duhet të rritesh si një fëmijë me edukuat dhe kulturë, mos të fyesh askënd, por të nderosh të gjithë njerëzit, krijesat e krijuara nga Zoti i Madh.
Duke qenë i ndrydhur, i heshtur dhe me shpirtin e plagosur, nga ajo kohë fillova të shkruaj. Ishte veç nëntë vjet e gjashtë muaj, kur shkrova për herë të parë vargje, dhe vargjet e para të asaj kohe ishin:
“Dashuria e rëndë si plumbi
Po e merr vala, po e merr gjumi
E donë e gjithë njerëzia,
Fjala e parë është dashuria.”
Vargjet që shkrova dëshmojnë se në atë kohë kisha nevojë për pak dashuri, kisha nevojë të rritesha me dashuri mes miqsh. Sa shumë kam dashur të kisha miq të sinqertë dhe të vërtet, por si fëmijë i varfër, që isha si “Luli i vogël”, askush nuk dëshironte të rinte me mua. Ata iknin prej meje, sikur të isha një krijesë gogol.
Nga plaga e shpirtit, që nga ajo kohë, një ditë e mërkurë, ora 22:00, në dritën e qiriut, unë fillova të shkruaj. Por, pa e menduar që një ditë, fjalët e mia të bëra vargje do të publikohen dhe do të lexohen nga qindra-mijëra shqiptarë anekënd botës. Aty, në dritën e qiriut, ku ishte gati të fikej ai qiri, ishte në fundin e tij, në dhomën e vogël të shtëpisë sonë, e ndërtuar nga drunjtë dhe e lyer me baltë, aty linda unë, dhe aty lindën vargjet e mia të para.
Ajo dhomë, kujtimi dhe e gjithë shtëpia bashkë me abetaren time, fashistët serbë i dogjën të gjitha. I dogjën kujtimet e mia, bashkë me shtëpinë dhe abetaren time të parë, që e kam dashur më së shumti në botë. Por serbët kurrë nuk ia arritën të m’i djegin mendimet dhe vargjet e mia që do të shkruaj për ato ditë dhe për të gjitha gratë dhe burrat që luftuan për liri të atdheut, për liri të fjalës sonë shqipe.
Që në moshë shumë të re. Gjatë pushimeve shkollore, unë fillova të punoja në ndërtime të larta, për të fituar para që me ato para të botoja librin tim të parë. Fitova një vend pune, ku ishte hera e parë që punoja në ndërtim të lartë. Ishte lartësi mbi 24 metra, por shefi ishte shumë pis, ai më torturonte shumë. Isha shumë i ri, një filiz që po punonte për të realizuar ëndrrën e tij, dëshirën e tij, për të botuar librin tim të parë. Shefi më bërtiste, më fyente, por edhe më urdhëronte të hipja për të punuar aty ku ishte më shumë rrezik. Po ecja si në teh të shpatës; një lëvizje e gabuar, ose të ngjeshësh këmbën në vendin e gabuar, dhe mund të përfundosh nga katet e larta në tokë. Po fitoja para me një rrezik të madh dhe me djersën më të madhe të mundshme!
Me paratë që i fitova për disa muaj, disa nga ato para i solla në shtëpi, blemë disa gjëra ushqimore dhe paratë e tjera m’i mori një matrapaz që më tha se do të më botonte librin tim të parë. Ai mori para nga unë dhe me librin tim fitoi edhe para si sponsorizim nga komuna. Ai u pagua dyfish, ndërsa unë, në fund, arrita ta botoj librin tim të parë, ëndrrën time pas shumë pritjesh dhe refuzimesh nga shumë njerëz dhe institucione kulturore përgjegjëse për librin. Arrita që me djersën time ta botoj librin e parë të titulluar “Foleja e Dashurisë”, i cili, sikur edhe ky libër, flet për dashurinë, për atë dashurinë e munguar që nga vegjëlia, si fëmijë!
Rrëfimi vazhdon!