POSTIMET E FUNDIT

Sot përfundon afati për regjistrimin e diasporës për zgjedhjet e 7 qershorit

Sot mbyllet afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë. Procesi i regjistrimit, i cili kishte nisur më 6 maj, përfundon këtë të diel, ndërsa institucionet zgjedhore kanë bërë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të shfrytëzojnë orët e fundit për t’u regjistruar dhe për të verifikuar të dhënat e tyre në listën votuese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka rikujtuar po ashtu se sot përfundon edhe afati për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës, si dhe për konfirmimin ose kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve.

“Verifiko Qendrën tënde të Votimit! Kanë mbetur vetëm edhe 1 ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës – afati mbyllet më 17 maj 2026”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, të transmetuar nga RTKlive.

Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë në dy forma: përmes postës ose fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërsa votimi në ambasada dhe konsullata do të mbahet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në dhjetor, mbi 70 mijë qytetarë nga diaspora kishin aplikuar për regjistrim si votues jashtë vendit, duke dëshmuar interesimin e madh të mërgatës për proceset zgjedhore në Kosovë.

Mbrëmjen e kaluar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, iu drejtua mërgatës përmes një video-mesazhi në Facebook, duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen para skadimit të afatit. Ai theksoi se qytetarët që nuk regjistrohen deri më 17 maj nuk do të mund të votojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ndërkohë, KQZ-ja ka miratuar edhe Listën Preliminare të Votuesve, e cila përmban 2,092,202 votues, ose 15,912 më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare.

Po ashtu, një ditë më parë, KQZ certifikoi 902 kandidatë për deputetë nga 21 subjekte politike që do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB