Përgatiti Dashnim HEBIBI
Filantropi dhe biznesmeni i njohur shqiptar Lazim Destani ishte një nga personalitetet pjesëmarrëse në Konventën e Alpeve, e mbajtur më 15 dhe 16 maj në Valbonë të Tropojës, një aktivitet që mblodhi figura të njohura nga trojet shqiptare dhe diaspora për të diskutuar mbi potencialin ekonomik, turistik dhe zhvillimor të Alpeve shqiptare.
Sipas helveticALForum.ch, gjatë kësaj konvente u zhvilluan panele dhe diskutime tematike që kishin në fokus zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit alpin, promovimin e turizmit malor dhe rritjen e investimeve në zonat veriore shqiptare dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor.
Në prononcimin e tij, z. Destani vuri theks të veçantë tek nevoja për plane të mirëfillta zhvillimore dhe zgjidhja e çështjes së pronësisë së tokave, të cilën e konsideroi si një nga pengesat kryesore për investimet serioze në zonat alpine.
“Me kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në Konventën e Alpeve, e cila u mbajt më 15 dhe 16 maj në Valbonë, Tropojë. Mes bukurive të rralla natyrore, dhe me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga trojet shqiptare e nga Diaspora, këtu u zhvilluan diskutime tematike mbi potencialin turistik dhe ekonomik që kanë alpet shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe mundësitë e rritjes së investimeve në këto zona”, u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se tema e panelit që drejtoi kishte të bënte me “Ekonominë Alpine në fokusin e zhvillimit të qëndrueshëm”, ku sipas tij, u trajtuan çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen e rajonit.
“Gjatë diskutimit mbi këtë temë ngrita çështjet që kanë të bëjnë me plane rregulluese të mirëfillta e të qëndrueshme. Këtu potencova rëndësinë e zgjidhjes së çështjes mbi pronësinë e tokave, një gjë që do t’u hapte rrugë e do t’i përshpejtonte investimet për biznese familjare apo për investime më të mëdha”, theksoi Destani.
Në kuadër të aktiviteteve të Konventës, ai mori pjesë edhe në Sofrën Dardane, si dhe në ceremoninë zyrtare të hapjes së sezonit turistik të Valbonës, organizuar nga Bashkia e Tropojës.
Një moment i veçantë për të ishte edhe dekorimi me çmimin “Ambasador i Alpeve”, vlerësim i ndarë nga organizatorët e Konventës për kontributin dhe mbështetjen e tij ndaj nismave zhvillimore dhe promovimit të trojeve shqiptare.
“U ndjeva i nderuar gjithashtu edhe me dekorimin që më bënë organizatorët e Konventës së Alpeve duke më akorduar çmimin ‘Ambasador i Apleve’”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë hapjes së aktivitetit, Lazim Destani përcolli një mesazh të fortë për ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e Alpeve shqiptare si një pasuri kombëtare me potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe ekonomik.

“
I nderuar Kryetar i Bashkisë, Tropojë, Z. Byberaj,
I nderuar Z. Ambasador, Mustafaj,
I nderuar Prefekt i Tiranës, Z. Hajdari,
E nderuar ish-Ministre, Znj. Rozeta Hajdari,
I nderuar Deputet, Z. Shaip Kamberi,
Të nderuar Ambasadorë, Ministra e Deputetë,
Të nderuar bashkëkombës,
Gjej rastin të falënderoj në mënyrë të veçantë Z.Ramiz Lushaj, që na bën bashkë në aktivitete si ky. Janë aktivitete të rëndësishme pasi ndikojnë në zhvillimin ekonomik të viseve tona, si dhe e kthejnë vëmendjen tonë këtu.
Kjo Konventë Alpine, që këto ditë na ka bashkuar në këtë zonë shumë të bukur të trojeve tona, le t’i shërbejë shtimit të vëmendjes tonë ndaj Alpeve shqiptare, në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e në Malit të Zi.
Këto male e kreshta, janë foleja e kreshnikëve dhe e zanave, janë vendlindja e burrave dhe e luftëtarëve të kombit.
Por sot jemi në tjera momente historike. Këto bjeshkë kërkojnë t’ua ruajmë nderin, t’i popullojmë, të investojmë e t’i bëjmë destinacione turistike të përhershme. Le të kujdesemi për to çdo ditë e më shumë. Dora e njeriut duhet ta bëjë më të mirën për ta mirëmbajtur e për ta bërë këtë zonë alpine gjithnjë e më tërheqëse për turistët e vizitorët.
Uroj këto kreshta të maleve tona të shkëlqejnë me oferta turistike, me shërbim e mjedis të pastër, dhe mbi të gjitha, me mikpritje e bujari siç e ka zakon shqiptari.
Këto nuk arrihen vetëm me takime e fjalë të bukura. Kërkojnë punë, kërkojnë iniciativa ligjore, vendim-marrje politike qendrore e lokale, si dhe lehtësira fiskale për bizneset.
Duke ju falënderuar për ftesën dhe mikpritjen, i uroj suksese kësaj konvente, dhe le të shërbejë si fillimi i një nisme mbarëshqiptare, që Alpet tona, të jenë krenaria jonë.”, transmeton helveticALForum.ch.




