POSTIMET E FUNDIT

Rexhepi përfaqëson Kosovën në samitin parlamentar të Evropës Juglindore në Sofje

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, po përfaqëson Kosovën në Sesionin e 13-të të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP PA), i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë nga 21 deri më 23 qershor 2026.

Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, delegacioni kosovar udhëhiqet nga Rexhepi dhe përfshin Këshilltarin Politik të Kryetares së Kuvendit, Glauk Tahiri, Këshilltaren Politike të Nënkryetares, Selma Alimin Abdiji, Koordinatoren Kombëtare, Bukurije Rukolli, si dhe zëvendësshefin e misionit të ARKS-it, Bujar Deskaj.

Në këtë sesion marrin pjesë delegacione parlamentare nga vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Slloveninë dhe Turqinë. Serbia nuk ka marrë pjesë në punimet e sesionit, duke shprehur pakënaqësinë e saj ndaj pranisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë takimeve u zhvilluan mbledhjet e komisioneve të përgjithshme, ku delegacionet pjesëmarrëse arritën konsensus për përbërjen e kryesive të komisioneve për mandatin 2026–2027. Në këtë kuadër, Rumania do të drejtojë Komisionin për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, ndërsa Turqia Komisionin për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Çështje Sociale.

Po ashtu, në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm u finalizua teksti i Deklaratës Përfundimtare të Sesionit të 13-të, dokument që pritet të përcaktojë prioritetet dhe drejtimet e bashkëpunimit parlamentar rajonal për periudhën e ardhshme, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB