POSTIMET E FUNDIT

Stafi i Bibliotekës Kombëtare trajnohet në Venecia për trashëgiminë bibliografike dhe arkivore

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka bërë të ditur se stafi i saj ka marrë pjesë në një trajnim intensiv dyditor në bibliotekën prestigjioze Marciana në Venecia, ku është trajtuar një gamë e gjerë temash që lidhen me ruajtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë bibliografike dhe arkivore.

Sipas njoftimit të BKK-së, trajnimi është udhëhequr nga ekspertë të bibliotekës dhe arkivave italiane, të cilët prezantuan zhvillimin historik të librit të shtypur – nga inkunabulat deri te botimet e shekullit XIX – përmes koleksioneve të pasura të bibliotekës Marciana.

Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me aspektet materiale të studimit të dorëshkrimeve, procedurat e huazimit të materialeve për ekspozita, si dhe me shërbimet digjitale dhe sistemet informative që përdoren për menaxhimin e trashëgimisë bibliografike. Gjatë trajnimit u prezantuan edhe praktikat dhe projektet moderne të realizuara nga biblioteka Marciana në këtë fushë.

Programi përfshiu edhe trajtimin e evolucionit të katalogëve, duke nisur nga vëllimet e shekujve XV–XVII deri te mjetet bashkëkohore të katalogimit që janë përdorur ndër shekuj në këtë institucion të njohur kulturor italian.

Në fokus të trajnimit ishte edhe formimi, menaxhimi dhe vlerësimi i trashëgimisë arkivore, ndërsa stafi i Bibliotekës Kombëtare pati mundësinë të njihet nga afër me trashëgiminë muzikore të bibliotekës Marciana, historinë e saj dhe Sallat Monumentale të institucionit.

Projekti është realizuar në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës dhe është koordinuar nga profesoresha Majlinda Bregasi, ndërsa është udhëhequr nga studiuesja e njohur veneciane, Lucia Nadin.

Ky trajnim konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin profesional të stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe në forcimin e bashkëpunimit kulturor e akademik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB